George Bush ka mbërritur në Tiranë më 12 qershor 2007, në vizitën e parë të një presidenti amerikan në Shqipëri.

Ai dhe bashkëshortja e tij Laura u pritën në Rinas nga ministri i Jashtëm i asaj kohe shqiptar Lulzim Basha dhe deputetët Bamir Topi e Ben Blushi.

Bush u takua në Pallatin e Brigadave me presidentin e atëhershëm të Shqipërisë, Aleksandër Moisiu nga i cili u nderua me dekoratën më të lartë “Urdhrin e Flamurit”, për kontributin në mbështetje të çështjes shqiptare.Presidenti amerikan në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e asaj kohe Sali Berisha, vlerësoi nivelin e lartë të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.Bush tha se beson se plani i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari, për pavarësi të mbikëqyrur është zgjidhja e duhur për Kosovën. Ai tha se do të punojë për të bindur vendet e Këshillit të Sigurimit dhe Serbinë për këtë gjë.

Bush tha se SHBA përkrah dëshirën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ai vlerësoi lart tolerancën fetare në Shqipëri.“Shpreha dëshirën që Shqipëria të hyjë në NATO, unë jam përkrahës i kësaj dëshire,” tha presidenti amerikan.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Bush tha para trupave shqiptare, një shprehje mirënjohje për kontributin ushtarak të Shqipërisë në Afganistan dhe Irak.

“U thashë trupave se ju respektoheni nga ushtarakët tanë si ushtarë të stërvitur mirë dhe kureshtarë,” tha Bush.

Ai inkurajoi politikanët shqiptarë të punojnë së bashku për të plotësuar standardet e anëtarësimit në NATO.“Politikanët duhet të punojnë së bashku për të arritur këto standarde, të lënë mënjanë ndryshimet politike,” tha ai.

Bush takoi në Fushë-Krujë një grup biznesmenësh shqiptarë që kishin marrë mbështetje financiare nga agjenci amerikane zhvillimi. Pas takimit, Bush doli, jashtë protokollit, në rrugën kryesore të Fushë-Krujës dhe takoi shumë qytetarë entuziastë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA