Rusia vendos në listën e ‘të kërkuarve’ ish-kryeministren e Ukrainës, Yulia Tymoshenko (fotot)

08/06/2024 17:13

Mediat ruse njoftonin sot se ministria e brendshme ka lëshuar një mandat arresti për ish-kryeministren pro-evropiane të Ukrainës, Julia Tymoshenko.

Agjencia shtetërore ruse Tass tha se Tymoshenko ishte vendosur në listën e të kërkuarve për akuza kriminale që nuk specifikoheshin.

Kjo e fundit i shtohet kështu presidentit aktual Volodymyr Zelenskyy dhe pararendësit të tij, Petro Poroshenko, që janë në listë bashkë me dhjetra zyrtarë e deputetë nga Ukraina dhe vende të NATO.

Tymoshenko dhe partia e saj Batkivshchyna (Atdheu) nuk komentonin sot mbi zhvillimin, ndërsa rrjeti i pavarur rus Mediazona, raportonte se Zelenskyy e Poroshenko ishin vendosur në listën e emrave prej shkurtit.

Mes të tjerëve në listën e të kërkuarve të Rusisë është kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, e cila ka nxitur vazhdimisht për të dhënë sa më shumë ndihmë ushtarake Ukrainës dhe ka bërë thirrje për sanksione të mëtejshme ndaj Moskës.

Në shkurt zyrtarët rusë lëshuan mandatin për Kallas, prej fushatës së Estonisë për heqjen e monumenteve të epokës sovjetike, të lidhura me Ushtrinë e Kuqe dhe fitoret e saj në Luftën e Dytë Botërore.

Për çështje të tilla në Rusi përdoret një ligj kundër “rehabilitimit të Nazizmit”, ku përfshihet dhe prishja e memorialëve të luftës.

Në listën ruse janë gjithashtu emrat të ministrave të kabinetit në Estoni e Lituani, si dhe gjykatësi i Gjykatës Ndërkombëtare që lëshoi urdhër arrestin për Vladimir Putin, shkruan The Independent.

FOTO GALERI
1/3
Tymoshenko ishte vendosur në listën e të kërkuarve për akuza kriminale që nuk specifikoheshin.

Top Channel