Kharkiv, qyteti në verilindje të Ukrainës është cak i sulmeve ruse që nga fillimi i invazonit.
Shtëpi, shkolla, spitale dhe institucione të tjera janë shkatërruar nga bombat gjatë kësaj kohe.
Megjithatë, shpresa për rindërtim dhe kthim në normalitet ende është e gjallë.
Një shqiptar nga Kosova ka kontribuar në hartimin e një projekti për rindërtimin e gjimnazit 46 në këtë qytet. Lendi Osmani, 26 vjeç që studion në Torino të Italisë, bashkë me ekipin e tij, janë fituesit e konkursit botëror nga “Asian Institute of Low Carbon Desing”.
“Qasja në projekt ka një ndjenë të thellë të rindërtimit dhe rikuperimit. Udhëhequr nga parimi “Ne do të rindërtojmë atë që ata shkatërruan”, jemi përqendruar në krijimin e një hapësire që nderon kujtimet kolektive të komunitetit.’-shprehet Lendi Osmani, student i arkitekturës në Itali.
Për arkitektin në ardhje, kjo fitore është më tepër se arritje profesionale.
‘Kjo përfaqëson solidaritetin tim me popullin e Ukrainës. Duke u rritur me rrëfimet e luftës në Kosovë ndihem i lidhur me ngjarjet në Kharkiv. Shkatërrimi dhe vuajtja që ata po e përjetojnë, na prek të gjithëve. Ndërtimi i shkollës në Kharkiv nuk është vetëm për të ndërtuar, por edhe rikthyer shpresën.”
Mes tjerash, projekti dhe një angazhim i tillë, për 26-vjeçarin nga Kosova përçon edhe një mesazh solidariteti.
“Ky projekt është mënyra ime për të kontribuar për popullin e Kharkiv, për t’u treguar se nuk janë vetëm. Është një mesazh shprese dhe solidariteti nga një vend që ka qeni i shkatërruar nga lufta për një tjetër.”
Grupi i arkitektëve të rinj përbëhet nga Lendi Osmani, Arianna Baldoncini dhe Federica Carrero nga studio e arkitekturës 2Mix Architetti në Itali.
Top Channel