Vendimi i qeverisë së Kosovës për të shpronësuar pronat e paluajtshme në komunat me shumicë serbe, Zubin Potok dhe Leposaviç, për projekte infrastrukturore me interes publik, për qytetarët serbë të veriut konsiderohet si uzurpim.
“Kjo është e kundërligjshme dhe kundër normave shoqërore…Uzurpim është me siguri, sepse të marr unë nga tjetërkush atë që nuk është e imja dhe që është në emrin e tij, çka është kjo tjetër?”, tha Dragolub Vllajiç, qytetar nga veriu i Mitrovicës.
Një qytetar tjetër nga veriu i Mitrovicës tha se shteti posedon mjaftueshëm toka të pashfrytëzuara të cilat mund t’ kishte marrë.
“Mendoj se përgjithësisht pasuria private është e paprekshme dhe nëse është kështu, atëherë nuk ishte dashur askujt t’i merret me forcë toka”, u shpreh Radovan Glligoviç, qytetar nga veriu i Mitrovicës.
Por, për analistët në Kosovë shpronësimi është një proces krejtësisht normal
“Është diçka normale, asgjë nuk është për alarm. Vetëm se është e nevojshme që pushteti të reagojë shumë shpejt dhe të realizojë dëmshpërblimin e atyre njerëzve”, deklaroi Branisllav Kërstiç, analist.
Për vendimin e marrë më 30 maj kanë reaguar edhe shtetet e Kuintit, Zyra e BE-së në Kosovë dhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, duke sqaruar se ligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas planit të Ahtisaarit, dhe se ligji duhet modifikuar.
Top Channel