Shqipëria vijon përgatitjet në kuadër të Euro 2024, teksa kuqezinjtë marrin pjesë për herë të dytë në histori në këtë event madhor. Të besuarit e trajnerit Sylvinho janë pjesë e Grupit B së bashku me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë. Së fundmi, tekniku brazilian në një intervistë për “AFP” theksoi se skuadrës së tij do t’i duhet të shfaqë shumë shpirt dhe sakrificë në fushë për t’ia dalë me sukses në këtë kompeticion.
“Shqipëria ime do të mbështetet te shpirti dhe sakrifica që do të tregojë në fushë. Kemi përballë kundërshtarë shumë të fortë që pretendojnë t’i shkojnë këtij turneu deri në fund dhe ta fitojnë atë. Forca jonë nuk është te një apo dy futbollistë, forca jonë është skuadra. Shqipëria është një skuadër pa shumë eksperiencë dhe merr pjesë në këtë kompeticion vetëm për herë të dytë në histori. Do të na duhet shumë punë që t’ia dalim në fushë. Kemi bërë një punë të madhe, por na pret tani edhe një sfidë akoma më e madhe.
Jemi ndër të paktët stafe teknike që jemi shpërngulur në vendin e punës, pra në Shqipëri. Kjo bën diferencën sepse lojtarët kuptojnë se ti ke një familje, fëmijë dhe gjithçka tjetër, e sërish i ke lënë për t’iu dedikuar punës tënde. Kur merr përsipër një punë, atëherë duhet ta bësh mirë atë. Këtë mentalitet kam. Dikush thotë se jam i huaj, por duke jetuar në Shqipëri më konsiderojnë shqiptar. Në fakt, unë jam një qytetar shqiptar.
Grup i vështirë në Europian? Gjithçka është e mundur në futboll. Për mua e rëndësishme është t’u tregojmë njerëzve se luftuam fort. Mua nuk më pëlqen t’i bëj gjërat përgjysmë, ose dedikohem në maksimum ose nuk përfshihem fare”, u shpreh Sylvinho./ Super Sport
Top Channel