Partia katalunase “Junts per Catalunya” ka dorëzuar sot një propozim parlamentar në Parlamentin e Spanjës ku i kërkojnë qeverisë së Spanjës që ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur.
Në propozimin e partisë katalunase, thuhet se në përkrahje të përpjekjeve të bëra nga institucionet e Kosovës për të mbrojtur të drejtën për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga pozicioni refuzues dhe ta njohë menjëherë Republikën e Kosovës.
“Nga “Junts per Catalunya”, ne kemi shprehur qëndrimin tonë në favor të njohjes së nevojshme të Kosovës si shtet sovran. Ne kemi treguar gjithashtu mbështetjen tonë për rezolutat e fundit të Parlamentit Evropian, dhe konkretisht dy të fundit të vitit 2023, të cilat u bëjnë thirrje pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që ta njohin Kosovën tani dhe ta lejojnë Kosovën të përparojë në rrugën evropiane pa vonesa të mëtejshme në baza të barabarta me vendet e tjera kandidate. Dhe shfaqja e shqetësimit për faktin se disa shtete anëtare po përdorin mjete institucionale për të komplikuar procesin integrues në rajon, përfshirë atë të Kosovës.
Për këtë arsye, por edhe në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen nga institucionet dhe populli i Kosovës për të mbrojtur të drejtën e tyre për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga refuzimi i tij dhe të njohë menjëherë Republikën e Kosovës”, thuhet në dokument.
Spanja është një prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian, bashkë me Qipron, Greqinë Sllovakinë dhe Rumaninë, që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.
Arsyeja kryesore për mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Spanjës besohet se lidhet me qëndrimin spanjoll karshi aspiratave të rajonit verilindor të saj, Katalonjës, që të pavarësohet. Ky rajon ka pasur disa përpjekje të pasuksesshme që të ndahet nga Spanja, ndërsa Madridi zyrtar e ka kundërshtuar ashpër këtë lëvizje.
Top Channel