Inside Story/ 13 mijë viktima të luftës në Kosovë, vetëm 80 kriminelë serb u dënuan

05/06/2024 21:41

“Për fat të keq, një çerek shekulli pas përfundimit të luftës, pas kryerjes së krimeve të luftës në Kosovë, shumica e viktimave nuk kanë parë drejtësi”, u shpreh Bekim Blakaj, i mbijetuari i masakrës së Dubravës.

Sipas Bekim Blakajt, janë të shumtë faktorët që kanë ndikuar në këtë pandëshkueshmëri. Përvoja ka treguar se në asnjë vend krimet e luftës nuk janë dënuar plotësisht, por në rastin e Kosovës procedurat para gjykatave janë të ngadalta, konsumojnë shumë kohë, kapacitetet e gjyqësorit janë të kufizuara.

Nga ana tjetër shumica e autorëve të krimeve të luftës nuk gjenden në territorin e Kosovës. Ata janë strehuar në Serbi dhe janë jashtë rrezes se veprimit të gjyqësorit të Kosovës.

“Deri para dy vitesh nuk ka qenë e mundur që në Kosovë të ndiqen penalisht ata që kanë kryer krime lufte në mungesë. duhej të arrestoheshin dhe me pas të gjykoheshin. Prokuroria speciale për krime lufte në serbi nuk bashkëpunon me atë të Kosovës, dhe duke mos bashkëpunuar është duke u ofruar hapësirë për mosndëshkueshmëri atyre që kanë bërë krime lufte”, u shpreh Bekim Blakaj, i mbijetuari i masakrës së Dubravës.

Nga totali i 80 personave të dënuar për krime lufte, 8 persona që kanë qenë në poste drejtuese politike, ushtarake dhe policore janë akuzuar dhe dënuar. Mirëpo në gjykatat vendore nuk ka pasur procese ndaj përgjegjësve me grada të larta ushtarake dhe policore apo urdhëruesve të këtyre krimeve, duke e bërë të vështirë dokumentimin e krimeve të luftës.

“Shumica e këtyre 80 personave kanë qenë me grada më të ulëta apo ushtarë të thjeshtë. Nuk ka një listë të saktë të përgjegjësve, ka aty këtu dokumente që dëshmojnë përgjegjësinë e individëve por nuk ekziston”, u shpreh Bekim Blakaj, i mbijetuari i masakrës së Dubravës..

Top Channel