E papritur, Hysaj mbetet pa trajner. Tudor ikën nga Lacio sepse…

05/06/2024 16:22

Aventura e kroatit Igor Tudor te Lazio mund të konsiderohet e përfunduar.

Përvoja e ish-futbollistit të Juventusit në krye të klubit bardhezi po i vjen fundi pas pak më shumë se dy muajsh në detyrë. Divergjencat në planifikim dhe merkato, në funksion të sezonit të ardhshëm, i shtyu palët të zgjedhin ndarjen, pavarësisht se kontrata skadon më 30 qershor 2025.

Palët kanë vendosur të mos vazhdojnë së bashku dhe aktualisht po punojnë për zgjidhjen e kontratës.

Sapo të zyrtarizohet “divorci” me Tudorin, Lazio do të shpallë trajnerin e ri. Presidenti Lotito dhe drejtori sportiv Fabiani po punojnë për të identifikuar zëvendësuesin e kroatit.

Idetë e ndryshme për planifikimin për të ardhmen dhe tensioni i klubit në ditët e fundit kanë shtyrë Igor Tudorin dhe Lazion të ndajnë rrugët.

Në takimet e ditëve të fundit, palët ishin përpjekur të arrinin një marrëveshje, por distancat dukeshin të pakalueshme, sidomos për çështjen e skuadrës.

Në fakt, Tudor kërkoi të revolucionarizonte organikën, një ide diametralisht e kundërt me atë të Lotitos dhe Fabianit.

Më tej, mëngjesin e sotëm, është shfaqur një pankartë nga “Curva Nord” kundër Tudorit, i cili javët e fundit nuk kishte ndier atmosferën pozitive as në dhomat e zhveshjes.

Pasi pasoi Maurizio Sarrin në krye të Lazios në fund të marsit të kaluar, Igor Tudor grumbulloi 18 pikë në 9 ndeshje të Serisë A, me një mesatare prej 2 pikësh për ndeshje, duke zënë vendin e shtatë.

Në Kupën e Italisë, megjithatë, bardhekaltrit u eliminuan nga Juventusi në gjysmëfinale.

Tashmë ka nisur kërkimi për trashëgimtarin e Igor Tudorit te Lazio. Ndër hipotezat është rikthimi i Miroslav Kloses. Nuk përjashtohet rikthimi i Maurizio Sarrit./ supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA