Zgjedhjet lokale në Serbi, Vuçiç: Mund t’i numëroni 100 herë, si të doni! Natyrisht që nuk ka parregullsi

04/06/2024 22:40

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se është e nevojshme që të lejohet qasja në gjithë materialin zgjedhor të zgjedhjeve të përsëritura lokale në disa pjesë të Serbisë, të mbajtura më 2 qershor.

“Të gjithë që kanë dëshirë të rishikojnë gjithçka duhet të lejohen, prandaj gjithçka duhet të jetë transparente. Mund t’i numëroni 100 herë, si të doni. Natyrisht që nuk ka parregullsi”, ka thënë Vuçiç në një paraqitje televizive në Radiotelevizionin e Serbisë.

Presidenti i Serbisë u është përgjigjur dyshimeve të opozitës që Partia Përparimtare Serbe (SNS) i ka vjedhur zgjedhjet lokale, të mbajtura në 89 qytete dhe krahina në Serbi.

Opozita ka organizuar protesta të martën në Beograd dhe Nish, me kërkesën për të pasur qasje në materialin zgjedhor.

Vuçiç ka thënë se do të ishte mirë që në Beograd të niste punën udhëheqësia e re, sa më shpejt që është e mundur, pasi, sipas tij, 750.000 njerëz kanë votuar prej 1.6 milion banorëve në total.

“SNS ka fituar bindshëm në Beograd dhe Novi Sad”, ka pretenduar Vuçiç.

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi u mbajtën dhjetorin e kaluar, por rezultatet e tyre u kontestuan në 88 qytete, komuna e rrethe, ku u përsëritën më 2 qershor.

Në shumicën e tyre, përfshirë edhe qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sadin, fitoi SNS-ja.

Megjithatë, organizatat që i monitoruan zgjedhjet, raportuan për një varg parregullsish, përfshirë blerjen e votave ose regjistrimin e dyfishtë të votuesve.

SNS-ja dominon politikën e Serbisë për më shumë se një dekadë.

Serbia është kandidate për t’iu bashkuar BE-së nga viti 2012, por përparimi i saj drejt bllokut duket i ngadalshëm./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA