Partia Përparimtare Serbe, e cila është në pushtet në Serbi, shpalli fitoren në zgjedhjet e përsëritura lokale në Beograd dhe qytete të tjera.
Pas numërimit të më shumë se 92 për qind të votave, SNS-ja populiste e krahut të djathtë – e mbështetur edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç mori 52.85 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, sipas Komisionit Zgjedhor të Qytetit të Beogradit. Ky rezultat do t’i japë asaj 64 mandate në asamblenë komunale prej 110 vendesh të kryeqytetit serb.
Konkurrentja më e afërt e SNS-së, “Kreni-Promeni”, që do të thotë “Lëviz-Ndrysho”, e kryesuar nga Savo Manojlloviç, doli e dyta me 17.61 për qind të votave, apo 21 mandate, njoftoi Komisioni Zgjedhor.
Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi u mbajtën dhjetorin e kaluar, por rezultatet e tyre u kontestuan në 88 qytete, komuna e rrethe, ku u përsëritën më 2 qershor.
Në shumicën e tyre, përfshirë edhe qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sadin, fitoi SNS-ja. Megjithatë, organizatat që monitoruan zgjedhjet, raportuan për një varg parregullsish, përfshirë blerjen e votave ose regjistrimin e dyfishtë të votuesve.
Manojlloviç tha se koalicioni i tij nuk do t’i njohë rezultatet. “Këto ishin zgjedhjet më të parregullta ndonjëherë”, u tha ai mbështetësve.
SNS-ja dominon politikën e Serbisë për më shumë se një dekadë.
Top Channel