Kina akuzon Shërbimin e Inteligjencës Sekrete të Mbretërisë së Bashkuar MI6 se ka rekrutuar punonjës të shtetit kinez si spiunë.
Në një postim në kanalin e saj zyrtar WeChat, Ministria e Sigurisë së Shtetit të Kinës tha se operativët e MI6 kthyen kundër Pekinit një kinez të identifikuar vetëm me mbiemrin e tij Wang dhe gruan e tij me mbiemrin Zhou. Të dy punonin në departamente “thelbësore konfidenciale” në një agjenci shtetërore kineze.
Ministria pretendon se MI6 nisi të rekrutonte Wang kur ai shkoi në Mbretërinë e Bashkuar për studime në vitin 2015, nën një program shkëmbimi kino-britanik. Për ta bërë për vete, ai ftohej në darka apo turne të ndryshëm, për “të kuptuar më mirë interesat dhe dobësitë e tij”, sikurse pretendon ministria. Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar nuk i janë përgjigjur kërkesës së BBC për një reagim.
Autoritetet kineze pretendojnë se operatorët e MI6 përfituan nga “dëshira e Wang për para”, u miqësuan me të në kampusin universitar dhe e detyruan të ofronte “shërbime këshillimi me pagesë”. Pas një periudhe kohe, ata i kërkuan t’i shërbente qeverisë britanike në këmbim të një shpërblimi më të mirë dhe nëpërmjet tij, rekrutuan më pas edhe gruan, pretendon Ministria e Sigurimit të Shtetit.
Akuza e Kinës vjen vetëm një muaj pasi Britania e Madhe akuzoi dy persona për spiunazh me Kinën, lidhur me “nxjerrjen e artikujve, shënimeve, dokumenteve ose informacioneve”.
Pekini dhe disa vende perëndimore po ‘shkëmbejnë’ gjithnjë e më shumë akuza për spiunazh.
Top Channel