Trajneri Thiago Motta duket i destinuar për të drejtuar Juventusin në sezonin e ardhshëm, me drejtuesit e Bolognas që nuk humbasin kohë, por bëjnë gati pasuesin e 41-vjeçarit.
Drejtuesit e kuqebluve do t’i besojnë Vincenzo Italianos, trajnerit që në këto tre vitet e fundit ishte pjesë e Fiorentinës duke i udhëhequr “vjollcët” në dy finale europiane, edhe pse nuk mundi të fitonte në asnjërën prej tyre.
46-vjeçari, është i vlerësuar për stilin modern që aplikon dhe drejtuesit e shohin si personin më të përshtatshëm për organikën e Bolognas që ndër të tjera sezonin e ardhshëm do të luajë në Champions League. Pritet që në orët e ardhshme, palët të kryejnë edhe takimin zyrtar për të vendosur “pika mbi I”.
Italiano kërkon garanci në merkato, por edhe konfirmin e disa futbollistëve të rëndësishëm në organikën aktuale të Bolognas. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Italiano do të firmosë një kontratë dyvjeçare me opsion shtesë për vitin e tretë ndërsa paga e bazë e 46-vjeçarit do të jetë dy milionë euro në sezon, shifër që shtohet nëpërmjet bonuseve të ndryshme.
Top Channel