Një ditë pas Kuvendit Programor të Partisë Demokratike, kryetari Lulzim Basha ka ndarë në rrjetet e tij sociale disa nga propozimet për luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen.
Programi i prezantuar të shtunën erdhi si rezultat i një pune të gjatë dhe gjithëpërfshirëse të ekspertëve vendas e të huaj, një vit para zgjedhjeve, si një angazhim i PD për t’u dhënë qytetarëve kohën e duhur për t’u njohur me propozimet dhe për të nisur një debat kombëtar mbi alternativën e prezantuar nga Basha dhe ekipi i tij.
Propozimet lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe shtetit të së drejtës, krahas propozimeve të kahershme për vettingun e politikanëve, heqjen e imunitetit dhe mbështetja për SPAK-un:
– Themelimi i njësisë së zbulimit dhe rekuperimit të aseteve dhe pasurive të vjedhura, me anë e të cilës do gjurmohen pasuritë e vjedhura nga zyrtarët e korruptuar, kudo që ato janë fshehur, brenda dhe jashtë vendit, për t’ia kthyer shtetit;
– Një tjetër risi është kthimi i KLSH-së në një gjykatë auditi, pra jo vetëm një institucion rekomandues, por me të drejta të plota vendimmarrëse, ekzekutivi i të cilave do të jetë detyrues për ekzekutivin;
– Po aq transformues është propozimi për ndarjen e Shqipërisë në 5 rajone, në përputhje me kërkesat e BE-së, duke fuqizuar zhvillimin ekonomik të barabartë në gjithë territorin;
– Një tjetër zotim është ai për heqjen dorë nga qeveria e re e PD nga të gjitha gjyqet kundër individëve, qofshin këto për njohjen e pensionit apo të tjera, duke bërë të mundur që mijëra qytetarë që janë në gjyq me shtetin të fitojnë të drejtat e mohuara, duke lehtësuar kësodore edhe sistemin gjyqësor, që mbart mbi 25 mijë çështje të tilla, të cilat bllokojnë punën e gjyqësorit shqiptar duke vonuar kështu vendosjen në vend të së drejtës.
Top Channel