Amir Rrahmani është prej vitit 2020 pjesë e Napolit duke u shndërruar në një element thelbësor për axurrët, me të cilët është shpallur si protagonist edhe Kampion i Italisë. Në një intervistë për sajtin zyrtar të klubit, mbrojtësi tregon edhe momentin në të cilin iu desh të zgjidhte mes Shqipërisë dhe Kosovës ndërsa shtoi se e ndjen shumë përgjegjësinë në përfaqësuesen e tij duke qenë se është kapiten i Dardanëve.
“Për mua është një përgjegjësi e madhe të jem kapiten i Kosovës. Jemi një vend i vogël me më pak se dy milionë banorë, por kemi shumë lojtarë me kualitet.
Zgjedhja mes Shqipërisë dhe Kosovës? Në atë periudhë kisha shumë dyshime, nuk e dija se si do të organizohej Federata e Kosovës. Kam nisur të luaj futboll në moshën tetëvjeçare dhe e kam bërë gjithnjë për t’u argëtuar. Jam më mësuar në këtë formë duke u argëtuar me miqtë e mi dhe nuk e kam mësuar futbollin duke ndjekur leksionet në një shkollë futbolli”, u shpreh Rrahmani.
Ndër të tjera, ish-lojtari i Partizanit në Superiore theksoi se tashmë jeton më në qendër të qytetit të Napolit dhe e ndjen më shumë atmosferën e tifozëve.
“Jetoja disi larg qytetit, më pëlqente sepse ishte qetësi. Kisha një vilë dhe një pishinë. Por, nga qershori i kaluar u transferova në qendrën e Napolit dhe tani jetoj në një apartament. Këtu kam më shumë mundësi të vizitoj qytetin dhe të ndjej më shumë atmosferën. Një pasion tjetër veç futbollit ka qenë moda, por tashmë ajo është bërë diçka shumë e zakonshme dhe nuk më intereson më”./Super Sport
Top Channel