Vëmendja e Bashkisë Lezhë dhe shërbimeve të saj do të zhvendosen në bregdetin e Shëngjinit dhe atë të Tales, duke nisur nga kjo e shtunë.
Kreu i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, mblodhi në sheshin para bashkisë të gjithë stafin dhe mjetet e planifikuara për sezonin turistik. Gjatë këtij takimi, ka kërkuar angazhim maksimal jo vetëm nga punonjësit, por dhe operatorët turistik për një sezon të mbarë e të pastër. Ndreu shtoi se mbetet pjesë e rëndësishme që të vijojë standardi i pastërtisë dhe cilësi shërbimesh, ndërsa në dispozicion të pushuesve do të ketë një qendër që do të trajtojë të gjithë problematikat që mund të hasen përgjatë sezonit turistik.
“Kërkoj nga ju ta merrni seriozisht sepse turizimi është shtylla kryesore e ekonomisë sonë. Në të gjitha të dhënat që kemi ne, edhe nga janari deri më sot, turizmi është rritur në mënyrë të ndjeshme. Supozohet që edhe gjatë këtij sezoni, të kemi një dyndje shumë të madhe, duhet që gjithçka që mundemi ta menaxhojmë me kujdes. Kemi identifikuar disa problematike, që gjatë pjesës së parë të qershorit, duke filluar që nesër, duhet të ezaurohen. Të gjitha shërbimet do të jenë në zonën bregdetare“, u shpreh kryebashkiaku, Pjerin Ndreu.
Rreth 150 punonjës dhe 25 mjete u janë drejtuar tashmë zonave bregdetare nga Shëngjini në Tale për mbarëvajtjen e sezonit turistik e ndërsa rëndësi do t’i jepet dhe monitorimit nga grupi i punës, i ngritur për këtë qëllim.
Top Channel