Italia nis rrugëtimin për Euro 2024, Spalletti zbulon arsyen e grumbullimit të “bastexhiut”

31/05/2024 17:44

Një nga kundërshtarët e Shqipërisë në Grupin B të Euro 2024, Italia e Luciano Spallettit nisi zyrtarisht rrugëtimin e saj për të mbrojtur fronin e Kampiones së Europës.

Axurrët nisën grumbullimin në Coverciano, teksa trajneri Spalletti foli në konferencë për shtyp ku sqaroi arsyen e grumbullimit të Nicolo Fagiolit pavarësisht se ky i fundit mungoi për pjesën më të madhe të sezonit për shkak të vendosjes së basteve të jashtëligjshme. Ndër të tjera, trajneri shtoi se i vjen keq që jashtë mbetën emra si Bonaventura dhe Locatelli.

“Fagioli është një zgjedhje tërësisht teknike, ka kualitet. Është e vërtetë se ka pak mangësi në duelet fizike, por na duhet në momentet që do të menaxhojmë ndeshjen, na jep më shumë mundësi kur kemi topin në zotërim. Pastaj është fusha ajo që vendos nëse kemi bërë zgjedhjen e duhur apo jo.

Kam folur me Fagiolin dhe më ka impresionuar, mendoj se meriton një kompensim për atë që i ndodhi. Ishte në një moment të vështirë dhe të mos harrojmë se ai kurrë nuk ka vendosur baste që përfshinin vetë atë personalisht. E thënë thjesht, ishte vetëm një zgjedhje teknike e imja. Më vjen keq që kanë mbetur jashtë emra si Zaniolo, Bonaventura apo Locatelli.

Kapiteni i skuadrës? Ai mbetet Donnarumma, edhe pse është diçka që do ta shohim gjatë ditëve të ardhshme. Por, për momentin kapiteni është Donnarumma”, u shpreh Spalletti.

Kujtojmë se Italia e hap Europianin në ndeshjen kundër Shqipërisë më datë 15 qershor, teksa pjesë e Grupit B janë edhe Spanja me Kroacinë./ supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA