Teksa juria në procesin gjyqësor ndaj Donald Trumpit jepte vendimin historik ndaj ish-presidentit të shpallur fajtor për vepra penale, një grup njerëzish u mblodh përpara rezidencës së tij në Mar-a-Lago, duke përcjellë qëndrime të ndryshme ndaj vendimit që praktikisht, e fut SHBA-në në një territor të pashkelur më parë tani kur po afrojnë zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, në të cilat ai pritet të jetë kandidati republikan përballë presidentit demokrat Joe Biden.
“Jam i kënaqur, sepse drejtësia u vu në vend. Është një ditë e mirë kjo për vendin tonë, kur 12 anëtarë jurie mblidhen së bashku në një sallë gjykate dhe kalojnë nëpër të gjithë proceson, rezultati i të cilit do të ishte mirë të respektohej nga të gjithë”, tha një qytetar kundër Trump.
“E dija që kështu do të ndodhte. Nju Jorku është liberal, juristët dhe gjyqtarët janë liberalë, kështu që çfarë prisnit tjetër. Por ai do ta apelojë vendimin dhe në nëntor do të fitojë. Në fakt, ata sapo vulosën fatin e tij në nëntor sepse ai do të jetë president”, tha një mbështetësja e Trump Mary Tulko.
“Edhe pse nuk jemi ekspertë të procedurave gjyqësore, jemi mjaftueshëm të zgjuar aq të kuptojmë se e gjithë kjo gjë, është e organizuar”, u shpreh një tjetër mbështetëse e Trump.
Trump përballet edhe me tre çështje të tjera penale, por rasti që u shqyrtua në Nju Jork mund të jetë i pari që mbyllet përpara zgjedhjeve të nëntorit, duke ia shtuar edhe më shumë rëndësinë vendimit. Edhe pse ndërlikimet ligjore dhe historike mbi vendimin janë të dukshme, pasojat politike nuk dihen, pasi vendimi më tepër mund t’i forcojë opinionet ekzistuese për Trump, sesa të ndikojë për t’i ndryshuar ato, thotë VOA, duke kujtuar sesi për çdo kandidat tjetër, një dënim nën akuza kriminale do të thoshte përfundim i garës për president.
Por karriera politike e Trump i ka rezistuar dy përpjekjeve në Kongres për ta shkarkuar, akuzave për abuzim seksual, hetimeve të ndryshme, që nga lidhjet e mundshme me Rusinë, tek ato për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve dhe në një plan më personal, komentet e tij, që u bënë publike, se mund të bënte me gratë ç’të donte meqë ishte i famshëm.
Top Channel