S’ka zgjedhje në Kosovë Dështon nisma e PDK! Nuk kishte koordinim me partitë e tjera

29/05/2024 20:43

Ideja për zgjedhje të parakohshme në fund të qershorit apo në korrik është shuar këtë të mërkurë.

Kjo pasi, partitë opozitare nuk kanë arritur dakordim për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme përmes shpërndarjes së legjislaturës së Kuvendit të Kosovës.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se nuk gjeti mbështetjen e dy partive tjera opozitare.

“Unë mund të hamendësoj për arsyet e gatishmërisë deklarative së partisë në pushtet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, por vërtetë jam i habitur nga mosgatishmëria e partive opozitare për ta bërë një gjë të tillë, sepse mos shkuarja në zgjedhe efektivisht po ia zgjatë mandatin pushtetit aktual”, tha Memli Krasniqi-Kryetar, PDK.

Krasniqi shtoi se PDK është gjithmonë e gatshme për cilindo variant që mundëson zgjedhje të parakohshme dhe largimin e Qeverisë aktuale. Lidhja Demokratike e Kosovës, të mërkurën njoftoi se nuk ka ndryshuar qëndrim.

“Kryeministri duhet të japë dorëheqje për dështimet e tij në çdo fushë, pastaj të bëhet shpërndarja e Kuvendit dhe krejt në fund të caktohet data e zgjedhjeve”, u tha nga LDK.

Dorëheqjen e Kurtit e kërkon edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti opozitare kjo e cila nga viti i kaluar e ka gati një mocion për shkarkimin e qeverisë, por që nuk gëzon mbështetjen e plotë të opozitës për shkak të mungesës së numrave.

Nga Lëvizja Vetëvendosje në anën tjetër thonë se ata e kanë parë këtë moskoordinim si nevojë të opozitës për më shumë kohë.

“Ato kanë propozuar një mënyrë tjetër, unë si e kam lexuar, është se atyre ju duhet më shumë kohë dhe mendoj se nuk duhet paragjykuar ato subjekte që kërkojmë më shumë kohë për zgjedhje, sepse kjo është një e drejtë elementare njerëzore dhe koha është në dispozicion”, u shpreh Glauk Konjufca-Kryetar i Kuvendit.

Partia Demokratike e Kosovës kishte propozuar prej kohësh datën 30 qershor ose 7 korrik si datë të mundshme të zgjedhjeve në rast se arrihej koncensusi mes opozitarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA