Spanja i ka thënë të martën Radios Evropa e Lirë se situata e Kosovës me shtetin palestinez është krejtësisht ndryshe, teksa ka përsëritur se nuk ka ndryshuar qëndrim për shtetësinë e Kosovës.
Spanja është një prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian – bashkë me Qipron, Greqinë Sllovakinë dhe Rumaninë – që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.
Arsyeja kryesore për mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Spanjës besohet se lidhet me qëndrimin spanjoll karshi aspiratave të rajonit verilindor të saj, Katalonjës, që të pavarësohet. Ky rajon ka pasur disa përpjekje të pasuksesshme që të ndahet nga Spanja, ndërsa Madridi zyrtar e ka kundërshtuar ashpër këtë lëvizje.
“Situata në Palestinë është ndryshe. Njohja e shtetit të Palestinës nuk prek në integritetin territorial të Izraelit, pasi ai territor nuk ka qenë asnjëherë ligjërisht pjesë e shtetit të Izraelit”, ka thënë Elena Aljarilla Cortezon, këshilltare për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Spanjës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Top Channel