Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ishte sot e pranishme në takimin që u zhvillua sot në Tiranë, “Rrugë të sigurta, turizëm i sigurt”, bashkë me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ministrin e Brendshëm Taulant Balla.
Balluku u shpreh ndër të tjera se “tashmë në vendin tonë kemi përfunduar një pjesë të mirë të investimeve në akset rrugore kombëtare nga veriu në jug të vendit sipas standardeve më të mira”.
Po ashtu Balluku njoftoi nisjen nga sot të fushatës së sensibilizimit për sigurinë rrugore.
“Do të kemi për herë të parë në Shqipëri një autostradë Thumanë-Kashar me 130 km/orë që do të kërkojnë kujdes të shtuar nga ana e policisë, teksa shtoi se projektet në infrastrukturën rrugore i përgjigjen më së mirë fluksit të shtuar të turistëve”, theksoi Balluku.
Sipas saj, nevoja për e-transport ka lindur si një kërkesë për qytetarët e huaj, pasi ata që vijnë për të parë Shqipërinë nuk ndalen vetëm te një destinacion. Për këtë arsye Ministria e Infrastrukturës ka krijuar të gjitha kushtet dhe e-transport është një modul shumë i rëndësishëm.
“Nga ana tjetër është dhe Korridori Blu, një linjë që lidh Shqipërinë me pjesën tjetër të Europës. Nga data, 30 qershor, aksi Thumanë-Kashar do të jetë i aksesueshëm për të gjithë qytetarët”, u shpreh Balluku.
“Nga ana tjetër, të gjitha automjetet e tonazhit të rëndë dhe kalojnë tonazhin e përcaktuar do të penalizohen. Duhet thënë gjithashtu se tuneli i Llogorasë do të hapë një portë të re për vetëm shtatë minuta. Diçka tjetër shumë e rëndësishme që u përmend nga të dy kolegët është sensiviteti, që duhet të kenë vetë qytetarët”, vijoi ajo.
“Nëse drejtuesi i automjeti është duke shkruar në telefon ndërkohë që është në timon, policia e ka të pamundur të ndihmojë. Kemi pasur rastin e një personi verën e kaluar që mori më qafë një familje të tërë. Shkeljet e kodit rrugor janë të përgjithshme, nuk janë vetëm nga moshat e reja, por dhe nga drejtues me përvojë. Kështu që përgjegjësia është personale ndaj çdo drejtuesi dhe ne do të monitorojmë kodin rrugor, i ngjashëm me Bashkimin Europian”, theksoi Balluku.
“Ne e kemi bërë një provë zjarri vitin e kaluar bashkë me kolegët dhe ndaj këtë vit do të jemi dhe më të kujdesshëm. Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi mirëkuptimin tuaj se do të ketë taskforca kudo”, vuri në dukje ajo.
“Qendra e monitorimit të trafikut do të jetë qendra ku trupat e trafikut rrugor do të jenë të gjitha së bashku. Kemi marrë përsipër që këtë vit të jetë dhe një radio në kohë reale që t’ju informojë për të shmangur për trafikun se ku ndodheni. Nga ana tjetër, po ju jap një shembull, do të keni në hyrje të Rrogozhinës një tabelë që tregon për trafikun se të gjithë zgjedhin rrugën e Elbasanit, ndërkohë që shpesh rruga që kalon nga Kavaja dhe Durrësi nuk zgjidhet nga qytetarët. Prandaj, përmes këtyre tabelave do të zgjidhen problemet me trafikun”, theksoi Balluku.
Ndërkohë ministri Balla pohoi se Policia e Shtetit do të angazhojë me shërbim në zonat turistike e plazhe mbi 1,600 punonjës policie, ku një pjesë e madhe janë nga Policia Rrugore.
Me gjithë numrin në ulje të aksidenteve rrugore, Balla apeloi për respektim të rregullave të qarkullimit për të shmangur fatalitetet në rrugë. Ai tha se në funksion të monitorimit të akseve rrugore, do të përdoren pajisje të teknologjisë së lartë si kamera, radarë e dronë. Ai përmendi një ndër projektet kryesore ku po punohet për rritjen e sigurisë rrugore, i njohur si “Smart City”, i cili do të nisë të zbatohet në qytetet e mëdha, apo përdorimin e inteligjencës artificiale.
Ndër masa e tjera, për lehtësimin e lëvizjes në dy krahët e kufirit, Ministri përmendi marrëveshjen me Kosovën.
Ndërsa si risi për këtë sezon e në vijim do të jetë “Trupa e Ndërhyrjes Teknike”, e cila parashikon bashkëveprimin dhe koordinimin mes shërbimeve të Urgjencës Mjekësore, Zjarrfikëses dhe Policisë së Shtetit, në raste ngjarjesh me pasoja.
Top Channel