Një ditë pas miratimit nga Asambleja e Përgjithshme e Rezolutës për Srebrencën, 11 korriku Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë është shënuar edhe në kalendarin zyrtar në faqen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kalendari zyrtar i OKB-së e rendit 11 Korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit  1995 në Srebrenicë”.

Rezoluta i referohet fakteve nga aktgjykimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe gjykatave vendase. Ajo bën thirrje për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.

Një ditë më parë, Miratimi i rezolutës u kundërshtua më së shumti nga Serbia dhe Rusia. Vete Presidenti serb Aleksandër Vucic tha se me këtë veprim, po trazohet sërish Ballkani. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007. Beogradi zyrtar dhe autoritetet e entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, e mohojnë genocidin.

Forcat serbe në këtë rajon lindor të Bosnje e Hercegovinës vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995. Për këto akte deri më tani janë dënuar më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg. Mes të dënuarve është edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhic, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA