Hetimi paraprak për vdekjen e presidentit iranian: Rrëzimi i helikopterit, i paqëllimtë

24/05/2024 19:31

Në një raport paraprak të ushtrisë iraniane thuhet se deri tani nuk ishte gjetur asnjë provë që të tregojë se rrëzimi i helikopterit me të cilin udhëtonte Presidenti Ebrahim Raisi, ishte vepër e një akti të qëllimtë apo sulmi.

Lajmi u njoftua të premten nga mediat shtetërore.

Ebrahim Raisi, një udhëheqës i linjës së ashpër, i cili shihej si pasardhës i mundshëm i Udhëheqësit Suprem Ayatollah Ali Khamenei, gjeti vdekjen kur helikopteri me të cilin udhëtonte u rrëzua të dielën e kaluar, mes motit të keq në malet pranë kufirit me Azerbajxhanin.

Nuk janë vënë re shenja plumbash apo diçka e ngjashme tek mbetjet e helikopterit i cili u rrëzua në një zonë në lartësi të madhe dhe shpërtheu në flakë”, thuhet në raportin e lëshuar nga shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura iraniane.

Asgjë e dyshimtë nuk është vërejtur në bisedat e kullës së kontrollit me ekuipazhin e fluturimit”, shtohej me tej në raport, ku njoftohej se më shumë detaje do të publikohen ndërsa hetimi përparon.

Ebrahim Raisi u varros të enjten në qytetin e shenjtë mysliman shiit të Mashhadit, katër ditë pas aksidentit gjatë të cilit gjeti vdekjen gjithashtu edhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian si dhe gjashtë persona të tjerë.

Ekspertët thonë se Irani njihet për sigurinë e dobët ajrore dhe të dhënat tregojnë për përplasje të përsëritura, shumë prej të cilave përfshijnë avionë të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, të blerë para revolucionit islamik të vitit 1979.

Teherani thotë se sanksionet amerikane e kanë penguar atë prej kohësh të blejë avionë të rinj ose pjesë këmbimi nga Perëndimi, për të përditësuar flotën e tij të dobët.

Irani shpalli pesë ditë zie për nder të Ebrahim Raisin. Ky i fundit njihej si një zbatues i politikave të Ali Khameneit, për qëndrimin e ashpër ndaj mospajtimeve publike si dhe mbështeste një linjë gjithashtu të ashpër mbi çështjet e politikës së jashtme, përfshirë bisedimet me Uashingtonin, për ringjalljen e paktit bërthamor të Iranit, të vitit 2015.

Zgjedhjet e reja presidenciale janë caktuar të mbahen më 28 qershor./ Zëri i Amerikës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA