Turistët largohen nga ishulli francez i Paqësorit prej rebelimit, nisin sulmet e grabitjet në Kaledoni (fotot)

23/05/2024 15:50

Vendet evropiane kanë nxitur qytetarët e tyre të largohen nga ishulli francez i oqeanit Paqësor, Kaledonia e Re, teksa trazira të ashpra anti-franceze kanë shpërthyer nga banorët vendas.

Në përplasjet e më shumë se një jave kundër varfërisë dhe ligjeve arbitrare të administratës, të paktën gjashtë njerëz janë vrarë ndërsa dhjetra makina e dyqane janë shkatërruar.

Rreth 3,200 turistë të bllokuar në ishullin e njohur si një parajsë tropikale, tashmë po përpiqen të evakuohen nga zyrtarë të vendeve të tyre.

Imazhe të trazirave në ishull, të kryesuara nga popullsitë indigjene, tregojnë automjete të djegura mes barrikadave të improvizuara nga protestuesit.

Trazirat i atribuohen shkaqeve si vështirësitë ekonomike, tensioneve sociale dhe përplasjes politike mes aktivistëve indigjenë pro-pavarësi dhe qeveritarëve francezë.

Konflikti u ndez sërish herën e fundit kur Parisi vendosi të ndryshonte rregullat e votimit, duke zgjeruar të drejtën për dhjetra mijëra banorë jo-autoktonë të vendit.

Zjarr e tym është parë të ngrihet nga rruga kryesore drejt aeroportit, ku më shumë se 60 barrikada janë ngritur nga protestuesit.

Franca njoftoi dje se po dërgonte forca shtesë policie drejt ishullit.

Kryeministri francez Gabriel Attal tha se 1,000 policë shtesë po i bashkohen personelit të ishullit prej 1,700 si dhe se “do të kërkohen dënimet më të rënda për nxitësit e trazirave.”

Një familje franceze e bllokuar në ishull tha për The Guardian se do të niseshin me barkën e tyre drejt Australisë deh po përgatiteshin për lundrimin gjashtë ditor.

Ndërkohë në vend shkolla e biznese janë djegur gjatë përplasjeve duke vështirësuar furnizimin për rreth 270,000 rezidentë të ishullit.

FOTO GALERI
1/5
Vendet evropiane kanë nxitur qytetarët e tyre të largohen nga ishulli francez i oqeanit Paqësor, Kaledonia e Re

Top Channel