Vota e Diasporës, Gjiknuri: Votimi elektronik në distancë me pikëpyetje, varianti më potencial mbetet ai me postë

22/05/2024 20:21

Grupi i dialogut zhvilloi një mbledhje këtë të mërkurë në Kuvend për Reformën Zgjedhore.

KQZ prezantoi propozimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për regjistrimin dhe votimin e Diasporës. Në propozimin e KQZ, theksohet se votimi nga jashtë duhet të zhvillohet disa ditë para datës së zgjedhjeve brenda vendit.

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri në një deklaratë për mediat pas mbledhjes tha se votimi elektronik ka shumë pikëpyetje, prandaj sipas tij varianti me më potencial është ai me postë.

“KQZ bëri një propozim teknik ku ka futur shumë elemente të votimit elektronik. Votimi elektronik në distancë ka shumë pikëpyetje nga pikëpamja e integritetit. Nëse do shkohet në votimin elektronik në gjithë Shqipërinë, kjo është një çështje tjetër, siç dhe eksperienca ndërkombëtare sugjeron, votimi elektronik do bëhet pjesor. Varianti më i ndjeshëm dhe potencial mbetet variant i votimit me postë”, tha ai.

Ai theksoi se varianti i propozuar nga KQZ ka shumë elementë dhe në këtë kuadër duhen bërë disa analiza. “PS është me parimin që çdo shqiptar që jeton jashtë vendit, i cili i nënshtrohet dy tre hapave normal verifikues, që kanë të bëjnë me identitetin dhe adresave të tij, dhe nëpërmjet një sistemi të besueshëm postar të mund të votojë”,  shtoi Gjiknuri.

Top Channel