Zëvendësndihmësja e sekretarit amerikan të Shtetit në Byronë për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick, tha se është e rëndësishme që Kosova të bashkëpunojë me partnerët e saj për të forcuar kandidaturën për anëtarësim në të gjitha institucionet euroatlantike, ashtu si edhe në Këshillin e Evropës.
Chulick i bëri komentet në një takim me një grup gazetarësh në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.
Ajo përsëriti se vizion i SHBA-së për Kosovën është që ajo të jetë pjesë e institucioneve euroatlantike.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’i dëgjojë këshillat e partnerëve të saj më të afërt, në mënyrë që të garantojë një rezultat pozitiv kur del në ndonjë votim”, tha Chulick.
Gjatë vizitës në Kosovë, Chulick u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin Albin Kurti.
Ajo tha se u ka shprehur atyre disa shqetësime të partnerëve evropianë në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që e ndalon përdorimin e dinarit serb.
“Kosova duhet të vazhdojë të punojë në këto çështje, t’i adresojë ato dhe të ecë sërish përpara”, tha zyrtarja amerikane.
“Duke i ditur edhe përgjegjësitë që i ka Banka Qendrore e Kosovës, ne vazhdimisht i kemi shprehur shqetësimet tona për mënyrën e zbatimit [të rregullores]. Nuk kemi ndjerë se ajo e ka marrë në konsideratë mënyrën se si do t’i ndikojë komunitetet, sidomos komunitetin serb. Ndaj, jemi duke e vëzhguar situatën dhe jemi të shqetësuar”, shtoi Chulick.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i pranishëm gjithashtu në takimin me gazetarët, shprehu zhgënjimin e tij me aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, gjatë të cilit u mbyllën disa institucione financiare serbe.
Hovenier tha se ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe, sipas tij, i përshkallëzon tensionet.
Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës angazhim konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar “si kanalin e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet më shumë me komunitetet”
Chulick, në anën tjetër, shtoi se një prej arsyeve përse gjendet në Kosovë, është për të treguar mbështetjen e SHBA-së për një Kosovë demokratike, të begatë dhe multietnike.
Ajo theksoi se është e rëndësishme që Qeveria të angazhohet në mënyrë më aktive me pjesëtarët e komuniteteve pakicë dhe t’i përfshijë ata në procesin e politikëbërjes.
“Kosova është shtëpi e shumë serbëve etnikë dhe ata meritojnë t’i mbajnë familjet dhe bizneset e tyre këtu”, tha Chulick.
Sipas saj, Qeveria e Kosovës duhet të punojë për të gjithë qytetarët e Kosovës, “pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo dallimet e tyre”.
Chulick tha, po ashtu, se SHBA-së i vjen keq që Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri, më 21 prill.
“Ne do të donim që ata të përfitonin nga mjetet demokratike që i kanë në dispozicion”, tha ajo.
Chulick theksoi se SHBA-ja mbetet e shqetësuar nga trajtimi i pakicave në Kosovë dhe tha se do të vazhdojë të punojë në këtë çështje.
Sipas saj, një nga përfitimet e të qenët pjesë e Këshillit të Evropës do të ishte “respekti më i madh për qytetarët e pakicave dhe gjithashtu qasja në procese ndërkombëtare, përmes të cilave Kosova mund të adresojë çështje të tilla si: përfshirja e pakicave dhe pjesëmarrja e plotë në qeverinë dhe demokracinë e vendit të tyre – për shembull përmes Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.
“Oportunistët politikë mund të përpiqen t’i shfrytëzojnë rrethanat ndërkombëtare në dobi të tyre”
E pyetur nëse druan se udhëheqësit nacionalistë në Ballkan do ta shfrytëzojnë vakumin politik ndërkombëtar, që rezulton nga zgjedhjet në BE-së dhe në SHBA, për ta komplikuar më tej situatën në terren, zyrtarja e Departamentit amerikan të Shtetit tha se “oportunistët politikë mund të përpiqen t’i shfrytëzojnë rrethanat ndërkombëtare në dobi të tyre në çdo kohë, por ne jemi vigjilentë ndaj atyre përpjekjeve, jo vetëm këtu në Kosovë, por në mbarë botën”.
“Është e rëndësishme për ne që të theksojmë se – janë interesa të sigurisë së SHBA-së dhe Evropës – ne mund të varemi nga partnerët tanë dhe ata mund të varen nga ne, pa marrë parasysh partinë politike apo lëvizjen. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë për një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më të begatë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në mbështetje të këtij qëllimi”, përfundoi Chulick./REL
Top Channel