Azgan Mërnica, i cili pak ditë më parë vrau efektivin e “Shqiponjave”, Novruz Cenalian, u la në burg, me vendim të gjykatës sot.
Në seancën e sotme, ku Mërnica u shfaq i qetë dhe i veshur me antiplumb, Gjykata vleftësoi si të ligjshëm arrestimin e tij në flagrancë.
Katër ditë më parë, në fshatin Baltëz, 23-vjeçari qëlloi me plumb në kokë Cenalian, i cili po shkonte për të marrë shërbimin. Menjëherë pas ngjarjes, Mërnica u larguar dhe në ndjekje të tij u vunë për 3 ditë me radhë forca të shumta policie dhe ato të RENEA-s, por pa mundur ta ndalojnë, derisa mbrëmjen e datës 15 familjarët negociuan me policinë dhe bënë dorëzimin e autorit në ambientet e drejtorisë së policisë në Fier.
I riu akuzohet për dy vepra të rënda penale, “Vrasje të punonjësve të policisë së shtetit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”, duke rrezikuar nga 35 vite burg deri te dënimi i përjetshëm.
Top Channel