Ankesat e SHBA-së për shpenzimet e mbrojtjes janë zgjeruar duke përfshirë jo vetëm aleatët në Europën Perëndimore, por edhe vendet e Ballkanit.
Sipas ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior, Julianne Smith, as vendet e rajonit nuk po bëjnë sa duhet në këtë drejtim. Në një apel të përcjellë përmes REL-së, Smith u kërkoi anëtarëve të NATO-s nga Ballkani Perëndimor të angazhohen më shumë për të arritur objektivin e aleancës, që secili prej tyre të shpenzojë të paktën 2 për qind të Prodhimit të vet të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen, sidomos duke pasur parasysh situatën e sigurisë dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
“Secili vend anëtar i aleancës u pajtua, dhjetë vjet më parë, për të shpenzuar 2 për qind të Prodhimit të vet të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtje. Në kohën kur aleatët e bënë këtë zotim, më 2014, tre anëtarë të aleancës e përmbushnin këtë detyrim. Deri në verë, kur të mbajmë samitin e Uashingtonit, ne presim që dy e treta e aleancës ta ketë përmbushur detyrimin. Tani, kemi një numër aleatësh në Ballkanin Perëndimor që janë pranë 2 përqindëshit.
Ata kanë punuar me zell gjatë dekadës së fundit për t’i rritur shpenzimet për mbrojtje, dhe ne i përshëndesim këto përpjekje. Prandaj, jemi thellësisht mirënjohës për lëvizjen që ka ndodhur gjatë dekadës së fundit nga këto shtete anëtare të NATO-s që ju sapo përmendët. Por, ne u bëjmë thirrje miqve tanë në Ballkanin Perëndimor: Kroacisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, që të angazhohen më shumë në përpjekje për të arritur objektivin prej 2 për qind para mbajtjes së samitit të NATO-s, në mesin e korrikut”, u shpreh zyrtarja e lartw, e cila sqaroi mw tej se presidenti Joe Biden po shpreson që në samit të shënohet numri më i madh i aleatëve me shpenzime prej 2 për qind, sesa që kemi pasur gjatë dekadës së kaluar. Pra, çfarëdo që mund të bëjnë miqtë tanë në Ballkanin Perëndimor, për t’i rritur shpenzimet për mbrojtje, do të çmohej shumë, pohoi ajo.
Top Channel