Samiti në Malin e Zi/ Nga portofoli digjital dhe doganat deri te shëndetësia apo sulmet kibernetike, kryeministri Rama rendit disa pika të planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor

16/05/2024 10:23

Kryeministri Edi Rama merr pjesë sot në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, dhe Bashkimit Europian, i cili mbahet në Kotor, Mali i Zi, me fokus Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor.

Rama: Së pari, na duhet të punojmë mbi mundësinë e Planit të rritjes për të përgatitur vetveten për t’u integruar në tregun e përbashkët që është shtylla e parë e planit. Ka ardhur koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit digjital evropian. Individualisht, ne i kemi përfshirë si objektiva në planin tonë të reformave e synojmë të jemi gati në 2027. Presim që Komisioni të finalizojë Udhërrëfyesin që të kemi një shteg të qartë përcaktuar përpara, bazuar sigurisht mbi praktikat e rregulloreve evropiane.

Në fushën e shëndetësisë sa i takon integrimit të rajonit në aleancën kritike mjekësore, do të sugjeroja që të lëviznim me siguri drejt unionit të shëndetësisë në Evropë sepse pandemia tregoi sesa jetike është një gjë e tillë, e po kështu sesa i kufizuar është bashkëpunimi në sektorin e shëndetësisë.

Do të përgëzoja po kështu punën e  Komitetit të transportit dhe CEFTA-s në përgatitjen e udhërrëfyesit dhe lehtësimin e tregtisë dhe transportit midis Ballkanit Perëndimor dhe shteteve kufitare të BE-së. Ka vetëm 10 pika kufitare ku mbi 80% e tregtisë dhe qarkullimit të ngarkesave me BE-në kalon. Modernizimi i këtyre pikave do të jetë në përfitim, jo vetëm të rajonit, por edhe e BE-së duke qenë se është partneri kryesor tregtar i rajonit. Ky udhërrëfyes do të ofrojë bazën për zbatimin e projektit 2.0 të lehtësimit të transportit të rajonit, duke i bërë korsitë e gjelbra me shtetet anëtare te BE një realitet.

Në të njëjtën frymë, bashkëpunimi më i fortë është i nevojshëm në fushën e migracionit, trafikimit të qenieve njerëzore, jo vetëm midis nesh në rajon, por edhe midis rajonit dhe BE dhe është në fakt  koha e duhur dhe në përputhje me konceptin gjithëpërfshirës të sigurisë të BE.

Së dyti, na duhet që të përshijmë logjikën e integrimit me faza në tregun e përbashkët dhe në fusha të tjera të integrimit në BE.

Kështu që është synimi ynë për të thelluar bashkëpunimin për të gjitha fushat që kanë të bëjnë me tregtinë dhe doganat në BE, duke u përgatitur për anëtarësim të plotë në bashkimin doganor të BE. Dhe ato shtete që mund të hezitojnë dhe u referohen mospajtueshmërisë të rregulloreve e të gjitha gjërave kam vetëm një gjë për t’iu thënë: qysh prej 1995-ës Turqia ka një bashkim doganor me BE kështu që në momentin që ka vullnet ne mund të gjejmë zgjidhje për të gjitha ndryshimet ligjore apo administrative.

Sidoqoftë nuk na duhet të presim derisa të gjitha reformat në BE të përfundojnë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Duhet ndërkohë të çelim rrugën tani për hyrjen graduale në zonën ekonomike europiane, në zonën kërkimore, në instrumentet e kohezionit për vendet e rajonit. Kështu që, duhet ta bëjmë pjesëmarrjen tonë në politikën e jashtme të sigurisë, më të dukshme, duhet të jemi pjesë e të gjitha instrumenteve që lidhen me paralajmërimin e hershëm, parandalimin dhe menaxhimin e kërcënimeve të sigurisë kibernetike sa i takon keqinformimit dhe kështu me radhë.

Nga ana tjetër, na duhet të transformojmë dijet e tregut të përbashkët sepse ka shumë pak dije që lidhen me këtë fushë gjithmonë e në zhvillim në Ballkanin Perëndimor, kështu që është në përputhje me fokusin tonë kombëtar dhe rajonal për zhvillim të kapitalit njerëzor në bazë të së cilës ne kemi dhënë propozimin për të ngritur akademinë përkatëse, duke iu referuar përvojës së Kolegjit të Europës për studimet europiane.

E shoh mjaft të përshtatshme dhe aspak të vështirë që të kemi një akademi të tillë, qoftë kjo digjitale apo fizike, që të jetë e atashuar me kolegjin e Europës në kampusin e Tiranës. Kjo do t’i shërbejë qëllimit për ta bërë më të lehtë dhe më gjithëpërfshirëse transferimin e njohurive.

Së treti, do të vazhdojmë që të thellojmë bashkëpunimin rajonal dhe jemi mjaft të përkushtuar ndaj kësaj. Ashtu siç të gjithë e dinë për Shqipërinë nuk është e shkuara që duhet të kontrollojë të ardhmen, por e ardhmja që të kontrollojë të shkuarën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA