Pakti me Italinë për pensionet/ Tabaku përplaset me Gonxhen në Kuvend: Marrëveshja e qeverisë socialiste me pensionistët është tragjike! Ministri e kundërshton: Është një nga më të suksesshmet

16/05/2024 13:42

Diskutimi i marrëveshjes së pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë ka përplasur ministrin Blendi Gonxhe me deputeten demokrate Jorida Tabaku, këtë të enjte në Kuvend.

Deputetja e PD, Jorida Tabaku në fjalën e saj u shpreh se kjo marrëveshje vjen pas një diskutimi të gjatë të disa qeverive shqiptare që kurorëzohet vetëm tani. Sipas saj kjo marrëveshje duhet dhe do të marrë votën e gjithë deputetëve por ajo kërkoi informacion se me cilat vende të tjera qeveria shqiptare po negocion marrëveshje të tilla duke rikujtuar një marrëveshje me Greqinë që ende ka mbetur pezull.

“Së pari besoj për të gjithë lind natyrshëm pyetja: Kush janë vendet e radhës me të cilat do vazhdojë qeveria shqiptare për të negociuar për pensionet dhe ku ndodhemi në lidhje me diskutimet me Greqinë që është vendi që ka numrin më të lartë të pensionistëve. A kanë avancuar diskutimet teknike? A kanë avancuar diskutimet me angazhimin politik? A kemi sot ndonjë informacion se ku ndodhemi për sa i përket negociatave të pensioneve dhe të mbi 700 mijë shqiptarëve që sot fatkeqësisht janë larguar në drejtim të Greqisë“, u shpreh Tabaku.

Ajo tha se pensionistët janë në varfëri ndërkohë që reforma e pensioneve ka dështuar realisht duke zhbërë një herë e mirë propagandën se ajo reformë është e suksesshme.

“Të dhënat janë kokëforta dhe ne nuk patëm mundësi që ti diskutojmë të plota në Komisionin e Ekonomisë dhe si rezultat i zhurmës së përhershme dhe kur interesohesh për të marrë informacione bën keq. Por INSTAT thotë që rreziku për të qenë i varfër në Shqipëri është rritur me 2% për moshën mbi 65 vjeç ndërkohë që në vitin 2022 pensionistët me pensionin tonë të pjesshëm janë 48% e totalit të pensionistëve. Që do të thotë sot 1 në 2 pensionistë e ka pensionin e pjesshëm. Të dhënat e INSTAT dhe EUROSTAT theksojnë që 85% e pensionistëve kryesisht në fshat e kanë të ardhurat e tyre nga pensioni më të ulëta se minimumi jetik dhe është niveli i përcaktuar dhe i llogaritur nga EUROSTAT sepse siç të gjithë e dimë nuk kemi një nivel zyrtar të përcaktuar për sa i përket minimumit jetik.

Shpenzimet për sektorin që lidhet me pagesat e drejtpërdrejta në fushën e pensioneve kanë zbritur në nivelin e 7.3% të PBB krahasuar me vitin 2023 , 7.8% që ishte ky tregues përpara pandemisë. Janë të gjithë tregues që tregojnë se sot politika e pensioneve dështoi , sot pensioni social i proklamuar, i deklaruar nga Qeveria këtu e 8 vite më parë, dështoi si një masë për të nxjerrë një shtresë të madhe të popullsisë dhe pensionistëve nga niveli i varfërisë. Dhe unë e besoj fort në fakt që të gjitha reformat të cilat që prekin më shumë se mandatin e një qeverie duhet të jenë reforma të përbashkëta, duhet të jenë reforma që prekin në thelb sistemin nga njëra anë por nga ana tjetër janë dhe të qëndrueshme në kohë, që nuk ndryshojnë nga njëri vit në tjetrin”,  u shpreh Tabaku në fjalën e saj në Kuvend.

Nga ana tjetër, Gonxhe theksoi se me skemën e miratuar në vitin 2014, ka frenuar deficitin dhe ka rritur numrin e kontribuuesve.

“Duhet të ndalem pak te pjesa e dështimit të reformës, që sipas të dhënave nuk ka rezultuar i tillë, përkundrazi është një nga më të suksesshmet në fushën e pensioneve. Në 2014 defici ishte 2% e GDP dhe tendenca ishte në thellim, duke rrezikuar qëndrueshmërinë financiare të të gjithë skemës. Pensionet që jepte skema ishin shumë të ultë dhe me tavane për pensione maksimale duke dekurajuar qytetarët  të merrnin pjesë, apo të vazhdonin punësimin duke deklaruar pagat reale. Ajo reforma bëri të mundur që të frenohet deficiti.

Falë kësaj reforme dhe luftës kundër informalitetit që qeveria ka bërë dhe vazhdon të bëjë çdo ditë është rritur numri i kontribuuesve dhe të ardhurave kontributeve nga rreth 600 mijë në vitin 2014, sot janë 827 mijë. Nga 61 miliardë lekë të ardhura kontributive në vitin 2014 jemi në 124.6 miliardë në vitin 2023”, tha Gonxhe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA