Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) Majlinda Bregu mori pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor i mbajtur sot në Kotorr, i quajtur “Një rajon, vizion i përbashkët”, me fokus afrimin e rajonit me BE-në përmes Planit të Rritjes së BE-së dhe Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM).
Udhëheqësit e BP shprehën vlerësimin e tyre për rezultatet e prekshme të prodhuara nga Plani i Veprimit i Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) të koordinuar nga RCC, si nxitës i tregtisë ndër rajonale dhe nxitës i integrimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
“Tregu i Përbashkët Rajonal është një “portë aksesi” për integrimin progresiv në tregun e vetëm të BE-së dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në, pasi rruga drejt konsolidimit të zgjeruar ekonomik me tregun e BE-së kalon përmes një Tregu të Përbashkët Rajonal “pa pengesa”. Rezultatet e zbatimit të CRM-së aktuale janë treguese dhe evidentojnë ndikimet reale të prekshme transformuese socio-ekonomike të axhendave të shumta të politikave rajonale, por ato po tregojnë gjithashtu për potencialet ende të pashfrytëzuara të integrimit ekonomik që ende mund të çlirohen në mënyrë që rritja prej 10% të mund t’i shtohen ekonomive tona”, tha Bregu në takim.
Udhëheqësit e BP shprehën gatishmërinë për të miratuar Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkër Rajonal 2025-2028 në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit 2024 dhe ftuan RCC-në, në bashkëpunim me partnerët përkatës rajonalë, për të koordinuar këtë fazë të re të Tregut, si dhe për të vazhduar mbështetjen dhe për të lehtësuar përfshirjen e parlamenteve në Procesin e Berlinit dhe axhendat e tjera të integrimit rajonal.
“Duke pasur parasysh skenarët e ndryshëm të përafrimit të tejzgjatur të rajonin tonë me BE-në s’duhet humbur më as edhe një perspektivë e vetme drejt kësaj qasjeje. Ne nuk mund të krijojmë një treg të përbashkët në BP nëse lihet mënjanë kapitali njerëzor. Nxitja e lëvizshmërisë së fuqisë punëtore brenda rajonit tonë mund të shtojë një 1.3% të konsiderueshme ndaj PBB-së deri në vitin 2025 dhe të gjenerojë 80,000 vende të reja pune. Një mjedis i favorshëm dhe konkurrues mund të cojë rritjen vjetore me 2%, të tërheqë deri në 6.5% më shumë investime dhe të ngrejë normën e rritjes së vendeve të punës deri në 1% në vit, ndërsa rrit produktivitetin e SME-ve me 5% në 10%. Prandaj, CRM-ja e re do të fokusohet në rritjen e kapitalit njerëzor dhe zhvillimin e aftësive, por edhe në nxitjen e transformimit dixhital dhe krijimin e mjedisit miqësor ndaj biznesit dhe rritjen e konkurrencës”, shtoi Bregu.
Udhëheqësit mirëpritën gjithashtu miratimin e Planit të Rritjes (GP) nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së dhe përsëritën angazhimin e tyre për të përqafuar mundësitë e GP, duke përfshirë përpjekjet e intensifikuara për të ndjekur angazhimet e kaluara në kuadër të Procesit të Berlinit, veçanërisht zbatimin e plotë të Marrëveshjeve për telefoninë celulare.
Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së theksoi se në të ardhmen RCC-ja, së bashku me të gjitha autoritetet dhe partnerët kyç, do të punojnë në drejtim të konkretizimit të Planit të Veprimit të ardhshëm CRM me masa vepruese, rezultatet e pritura dhe afatin kohor të zbatimit – për të qenë gati për miratim në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit.
Takimi i radhës i liderëve të Ballkanit Perëndimor “Six on the Growth Plan” do të zhvillohet në Bosnje dhe Hercegovinë.
Top Channel