Gjekmarkaj e Bardhi ngrenë çështjen e vulës në Bundestagun gjerman: PD realisht e bashkuar, por vendimet gjyqësore….

16/05/2024 15:19

Nënkryetari demokrat i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi u pritën nga Kryetari i Komitetit  për Çështje Europiane në Bundestag, Anton Hofreiter.

Gjatë takimit u diskutua integrimi i Shqipërisë në BE, si dhe mbështetja që ka dhënë Gjermani në këto vite për Shqipërinë.

“Sot së bashku me z. Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD dhe Nënkryetar i kësaj partie, u pritëm nga Kryetari i Komitetit  për Çështje Europiane në Bundestag z. Anton Hofreiter, me të cilin bashkëndamë pikëpamjet tona mbi integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe e falënderuam për mbështetjen e pakursyer që Gjermania i ka dhënë vendit tonë në këtë proces e jo vetëm  gjatë 34 viteve pluralizëm.

Theksuam rëndësinë e procesit të Berlinit dhe mbështetjen që Opozita i ka dhënë atij që në gjenezë. I shprehëm shqetësimet tona për stanjacionin e Reformës Zgjedhore e cila me patjetër duhet të reflektojë rekomandimet e OSBE – ODIRH për zgjedhje të lira e të ndershme dhe barazi të pjesëmarrësve në zgjedhje.

Gjithashtu sot patëm mundësinë e një bashkëbisedimi të gjerë me deputetët e këtij komiteti të cilët bënë shumë pyetje për çështje të integrimit, drejtësisë, Ballkanit të Hapur dhe procesit të Berlinit, bashkimit të opozitës, marrëveshjes Rama-Meloni, emigracionit dhe shkaqeve të tij etj. U shpreha kolegëve gjermanë gjithë respektin dhe falënderimin për vëmendjen e kohen që na kushtuan, duke ju shpjeguar se populli shqiptar, jo vetëm nga sondazhet të cilat e nxjerrin si popullin me proevropian, por nga historia e cila e ka vënë disa herë në ballë të përpjekjeve për të luftuar për Europën dhe në emër të saj, të një populli që e di ç’do të thotë të humbasësh si realitet e ta ruash si identitet, të ndëshkohesh prej saj e për të, për arsye shpirtërore e kulturore si të tillë, si europiane dje, sot dhe nesër, e meritojmë të jemi në bashkësinë e saj politike. Unë kam qenë 16 vjeç kur na u ofrua ëndrra europiane tani jam 50 vjeç dhe ajo ngjan me një vijë horizonti që sa i afrohemi po aq largohet. Popujt e Ballkanit Perëndimor e duan Europën, ndonjëherë qeveritë e tyre jo, sepse kështu konsolidojnë të pashqetësuar autokracinë!

Edhe në këtë takim rrëfeva sagën e trishtë të arrestimit të Liderit të Opozitës Sali Berisha pa akuzë e pa hetim, duke e shndërruar atë në një subjekt nën ligjin, duke prekur ad personam nenin 73 të Kushtetutës për ndëshkim. Opozita dhe PD e bashkuar janë realitet por ende peng i vendimeve gjyqësore që nuk respektojnë sensibilitetin shoqëror i cili pret sa më shpejt nga ata një vendim.

“Vdekja”  e Ballkanit të hapur  është e vetmja “vaki” që është pritur me gëzim duke zvogëluar ndikimin e tërthortë rus nëpërmjet Serbisë në Ballkan. U shpjeguam gjitha hallkat, ngecjet dhe vonesat e Reformës në Drejtësi. Po ashtu ritheksuam nevojën e rikthimit të misionit faktmbledhës të Bundestagut gjatë vitit elektoral në Shqipëri”, shkruan Gjekmarkaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA