Në korrik 2023, Gjykata e Fierit ka dhënë vendimin për vrasjen e 23-vjeçarin Florjan Selimi në vitin 2019, ku vendosi 19 vite burg për autorët, Kiri Mërnica dhe Sadri Selaci.
Kiri Mërnica është vëllai i autorit të vrasjes së policit të “Shqiponjave” Novruz Cenalia, Azgan Mërnica, dy ditë më parë, ndërsa 23-vjeçari ndodhet ende në arrati. FSHN dhe RENEA janë në kërkim të tij.
Nëna e të ndjerit Florian Selimi, në një lidhje live për “Breaking”, tregoi në pika kryesore historinë dhe konfliktet e familjes së saj me familjen Mërnica.
Sipas saj, djalin ia vrarë për hakmarrje, duke i prerë fytin natën e Kurban Bajramit dhe se edhe familjarë të tjerë janë kërcënuar nga familja Mërnica, për çështje pronësie dhe tokash.
Ndërsa kërkon drejtësi, ajo thotë se policia e Fierit e mbron familjen Mërnica dhe edhe pse e dinë që rrinë të armatosur, nëna e Florian Selimit thotë që nuk i godasin. Ajo kërkon drejtësi dhe që mos e manipulojnë ngjarjen për vrasjen e Cenaliajt.
“Ne kemi jetuar për 20 vite në fshatin Salaj të Fierit, një fshat që ka qenë problematik gjithmonë. Ka njerëz të armatosur dhe policia nuk i ndalon. Edhe nëse i ndalon, i liron pasi shoqërohen në drejtorinë e policisë. 2015 kishim një ngjarje ku vëllai im bëri një plagosje, ata e kërcënuan me jetë dhe në vetëmbrojtje e sipër, vëllai im e ka plagosur një nga autorët e krimit. Edhe aty nuk u bë hetimi i duhur, sepse nuk e pranuan kush janë autorët e krimit, sepse kishin dëshirë të hakmerreshin.
Natën e kurban Bajramit ma kanë therë në fyt djalin tim, duke bërë bërë kurban një fëmijë 23 vjeç në rrugë pa asnjë lloj motivi, vetëm se vëllai im ka plagosur njërin prej tyre. Ka ndodhur për motive hakmarrje, por në Prokurori është shkruar “vrasje për urrejtje”. Do ta ndjek këtë çështje deri në fund”, tha nëna e të ndjerit Florian Selimi.
Pse u larguat nga fshati Sulaj i Fierit?
“Pasiguria, kam kërkuar mbrojtur nga shteti. Për të mos pasur vrasje të tjera kemi ikur. Vëllain tim e kanë kërcënuar me armë, po atë ditë kanë plagosur edhe një person tjetër. E kanë me jetë a vdekje të largojnë personat nga veriu që vijnë aty, madje edhe vendasit sepse i duan vetëm për vete tokat.”
Vazhdojnë konfliktet me familjen Mërnica?
“Po, gjakun e djalit tim nuk kam për ta falur kurrë. Nuk do harrohet. Nuk jam e kënaqur me 19 vite burg sepse nesër pasnesër mund të dalin me lekë.”
Keni pasur kontakte me Azgan Mërnicën?
“Jo asnjëherë, unë shkoj te shtëpia ndonjëherë se dua ta shikoj, sa herë shkoj ata i kanë armët nëpër duar. I kam thënë policisë, ata e dinë, por asnjëherë nuk ndërhyjnë, nuk e di pse. Ata i lajmërojnë në Policinë e Shtetit dhe operacioni nuk funksionon.”
Vetëm me familjen tuaj ka pasur konflikt familja Mërnica?
“Ata kanë konflikt me gjithë fshatin, janë njerëz parazit që rrojnë vetëm duke vjedhur dhe ndonjë rrënjë hashashi.”
Si e mësuat ngjarjen për vrasjen e policit?
“Autori nuk kapet se mbrohet nga polica e Fierit. Rruga kur ka qenë polici që është vrarë është shumë e gjerë, përballë është edhe një rrugë me asfalt, është shumë lehtë që të kishte kaluar një makinë. Kjo ngjarje ishte e paramenduar, ta zbardhë shteti mos ta manipulojnë si me rastin e djalit tim.”
Vazhdojnë kërcënimet tani që jeni në Tiranë?
“Unë nuk iu kam frikën as kriminalëve dhe asnjërit. Jam me të drejtën time dhe nuk kam frikë deri sa të më vrasin. Nuk e njoh frikën.”
Gjatë procesit gjyqësor keni pasur përballje me familjen Mërnica?
“Nuk kam punë me vrasësit, kam punë me shtetin që ka falsifikuar ngjarjen. Nuk kam qarë çunin tim se më është dashur të merrem nëpër dyer institucionesh për të zbardhur ngjarjen.”
Top Channel