Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një projektligj për të rivlerësuar sërish pasuritë e paluajtshme deri vitin e ardhshëm.
Drafti është paraqitur nga deputetja Blerina Gjylameti dhe i shtrin efektet deri në 31 qershor 2025, pak muaj pas zgjedhjeve parlamentare.
“ Te gjithe individet, te cilet kane ne pronesi pasuri te paluajtshme, kane te drejte qe nga data e hyrjes ne fuqi te ketij ligji deri ne daten 31 qershor 2025 te bejne rivleresimin e kesaj pasurie me vleren e tregut”, thuhet në projektligj.
Në draft propozohet që subjekt i këtij ligji të jetë edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme të individëve që janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë, që kanë kontrata sipërmarrje dhe jetojnë në pallate ende të pa legalizuara.
“Kjo dispozitë synon të trajtojë raste të atyre individëve që janë në proces legalizimi të pasurive të paluajtshme apo edhe raste të individëve që kanë apartamente me kontratë porosie apo sipërmarrje, por për shkak të problemeve që ka shoqëria ndërtuese me mosrespektimin e lejes së ndërtimit, hipotekimi i pallatit nuk kryhet. Parashikimi bën të mundur që edhe ky individ të ketë të drejtë të rivlerësojë pasurinë e tij”, thuhet në relacion.
Top Channel