“Nuk thashë kurrë se janë 7 mijë shqiptarë të nisur drejt Athinës”, kryebashkiaku i Librazhdit: Video-montazhi i opozitës, fola për numrin e të pranishmëve në takim

15/05/2024 14:23

Kryetari i Bashkisë së Librazhdit ka reaguar mbi një video montazh ku ai flet nga takimi me diasporën në Greqi.

Në media u raportua se kryebashkiaku i Librazhdit Mariglen Disha ka thënë se nga Shqipëria janë nisur 7 mijë qytetarë për të marrë pjesë në takimin e Ramës në Athinë. Ndërkohë që në statusin e tij, Disha thotë se është pyetur për numrin e të pranishmëve në takim dhe më pas përgjigjja e tij është nxjerrë nga konteksti.

“Me paturpësi, këtë përgjigje e kanë montuar duke e shkëputur nga konteksti dhe e kanë qepur sipas nevojës së propagandës së tyre bajate sikur të pranishmit në takim ishin marrë me vete nga Shqipëria. Një qepje ordinere që keqpërdor në ekstrem përgjigjen time tjetër për tjetër gjë!”, shkruan Disha.

REAGIMI I PLOTË:

Jua kuptoj hallin që kanë. Të braktisur nga njerëzit pasi i kanë zhgënjyer dhe nëpërkëmbur, nuk e pranojnë dot një sallë të tejmbushur si asnjëherë më parë me emigrantë shqiptarë që me sakrifica e ndershmëri jetojnë e punojnë prej vitesh në Greqinë fqinje.

Nuk është thjesht mllefi ndaj Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama por dyshoj në fakt se është mllefi ndaj bashkëkombësve tanë ai që i shtyn këta të mjerë të bëjnë montazhe qesharake si ky i transmetuar.

Jam pyetur prej tyre sa mendoni se është numri i personave të pranishëm në atë takim dhe jam përgjigjur 7000. Me paturpësi, këtë përgjigje e kanë montuar duke e shkëputur nga konteksti dhe e kanë qepur sipas nevojës së propagandës së tyre bajate sikur të pranishmit në takim ishin marrë me vete nga Shqipëria. Një qepje ordinere që keqpërdor në ekstrem përgjigjen time tjetër për tjetër gjë!

Një takim i tillë me vlera patriotike, pa dallime partiake dhe me krenarinë e madhe që kemi për emigrantët  nuk mund të përbaltet nga një portal që ka për qëllim klikimet dhe keqinformimin e publikut.

Krenarë për emigrantët shqiptarë në Greqi të cilët dhe njëherë treguan vlerat dhe punën e tyre të jashtëzakonshme

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA