Dalin pamjet nga ngjarja e rëndë në Durrës, 40-vjeçari i qetë me cigare në dorë/ Xhami dhe muri i bërë “shoshë” nga plumbat, shikoni si e neutralizoi RENEA burrin që mbante peng fëmijët e tij

15/05/2024 08:25

40-vjeçari Aleks Marku ra në prangat e policisë këtë të mërkurë, pasi mbante peng dy fëmijët e tij në një banesë me qira në Durrës.

Gjatë aksionit policor ai ka qëlluar drejt forcave speciale RENEA me kallashnikov, ndërsa pas orëve negociata, ai është dorëzuar dhe liroi fëmijët.

Sipas policisë, rreth orës 02:20, Policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.

Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para rezultoi se banesa nga ku qëllohej me armë zjarri, ishte marrë me qira javore, nga  40-vjeçari, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda ai mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç.

Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë.

Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit.

Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e tij.

Në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës.

Gjithashtu, Policia nxorri të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë. 40-vjeçari është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme procedurale.

Nga deklarimet e para të 40-vjeçarit Aleks Marku pas arrestimit nga policia rezulton se ndjehej nën kërcënim dhe i kishte marrë peng fëmijët për t’i mbrojtur.

Paraprakisht deklarohet se akti është kryer pasi ka qenë nën efektin e narkotikëve, por po hetohen të gjithë elementet e deritanishme për të zbardhur motivin e marrjes peng të fëmijëve të tij të mitur dhe kundërpërgjigjes me armë ndaj policisë për të zbuluar nëse i arrestuari kishte konflikte që e çuan në këtë akt, ka probleme të shëndetit mendor, apo është një akt hakmarrjeje, dhune brenda familjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA