“17 vjet persekutim personal dhe familjar, gjoja unë isha krimineli që shpërtheu Gërdecin”, Mediu në GJKKO: Gjyqi të bëhet live, në prani të kamerave

15/05/2024 11:27

Seanca e radhës për çështjen e Gërdecit u mbajt këtë të mërkurë.

Mediu: 17 Vjet persekutim dhe anatemim personal dhe familjar, se gjoja unë isha krimineli që shpërtheu Gërdecin. Ministri akuzohet se duhet të dinte ku ishte Gërdeci, ç’bënte Shtabi dhe ushtarakët, kompania, rojet dhe punëtorët, cilat ishin rregullat e municioneve dhe sigurimit teknik.

Për ironi, ata që i bënin këto deklarata dhe nxisnin çdo opinion, po të shikoni gjithë rastet e sotme objekt hetimi dhe gjykimi të kësaj godine, shmangin përgjegjësinë dhe dijeninë për veprimet që ju i konsideroni kriminale, për vete dhe bashkëpunëtorët e tyre më të afërt.

Unë, pa asnjë hezitim, mora përgjegjësinë morale dhe nuk i vura kujt gishtin si përgjegjës, sepse mendova se këtë do ta bënte drejtësia. Nuk u fsheha, nuk u largova, por dorëzova imunitetin dhe kam qenë këtu përballë drejtësisë. Por unë kam menduar të përballem me ligjin dhe jo  me manipulimin.

E dhashë dorëheqjen për përgjegjësi morale, por kjo nuk mund të keqkuptohet dhe keqpërdoret si dobësi për t’u shndërruar në përndjekje penale për 17 vjet. Përndjekje që vazhdon kundër çdo ligji dhe rregulli për një proces të drejtë. Padyshim, Gërdeci ishte tragjedi. I kuptoj dhe gjykimet e opinionit, por ashtu besoj të kuptoni dhe ju ftohtë se duhet të respektoni ligjin! Afërmendsh, në drejtësi nuk vepron dëshira, por vepron prova dhe ligji. 

Po më lejoni t’ju pyes edhe pse e di që s’do të marr përgjigje: Kush i jep lejet dhe koncesionet për minierat? I jep Qeveria dhe Ministri. Çdo 6 muaj vriten njerëz në miniera. Pse nuk merret përgjegjës ministri? Po ashtu në ndërtime. Edhe ndërtimet kanë viktimat e tyre, kush i jep lejet? Pse nuk merren të pandehur kryetarët e bashkive dhe ministrat, se nuk janë zbatuar rregullat teknike?

Para Gërdecit janë vrarë mbi 100 njerëz në Qafë Shtamë, Gjegjan, Gjirokastër, Dhëmblan. U mbytën 19 persona në det. Janë vrarë 2 muaj pas Gërdecit në Uzinën Ushtarake të Poliçanit, janë vrarë në Skrapar në 2011. Pse nuk u ngarkuan ministrat me përgjegjësi, se si ishte magazinuar, ruajtur dhe demontuar municioni. Apo në rastin e Gërdecit duhet një kokë turku??

1- Është provuar qartësisht dhe vendosur nga Prokuroria dhe Gjykata në këtë proces se “Ministri nuk ka lidhje me shpërthimin dhe të gjitha pasojat e shpërthimit në Gërdec”.

Po për kete arsye, me vendim ju u shprehët se nuk kishte bazë ligjore që familjarët e viktimave të jenë palë në proces, ndërsa Ne pranuam kërkesën e tyre. Më vonë nuk di për çfarë arsye ndryshuat qëndrimin tuaj.

2- Le t`a bëjmë të qartë brenda dhe jashtë kësaj salle për këdo, se për çfarë po më gjykoni.

Ju po më gjykoni për shpërdorim detyre: “Shkelja me dashje me veprime apo mosveprime në kundërshtim me ligjin, të cilat i kanë sjellë atij apo persona të tjerë përfitime materiale dhe jo materiale, duke i sjellë dëm ekonomik interesave të shtetit). T’i marrim një nga një togfjalëshit e akuzës. Shkelje me dashje-thoni ju, por ku është provuar kjo dashje që ju pretendoni? Me veprime apo mosveprime në kundërshtim me ligjin-thoni ju. Po cilat janë ligjet që, sipas jush, ngarkojnë Ministrin? Janë rregulloret e Ushtrisë apo urdhrat e Majkos dhe Imamit? Gjithashtu, ju pretendoni se veprimet apo mosveprimet e mia i kanë sjellë shtetit apo personave të tjerë përfitime materiale dhe jo materiale, duke i sjellë dëm ekonomik interesave të shtetit. Në këtë sallë dhe jashtë saj, prej 17 vitesh ju kam deklaruar se, nëse unë, familjarët e mi, stafi im, do të kishin një telefonatë me ata që kishin kontratën për demontimin, atëherë do të merrja përsipër çdo përgjegjësi. Këtë e kam bërë edhe në prani të Presidentit, Kryeministrit, Prokurores së Përgjithshme dhe SHSHP. Ju keni provuar se nuk kam pasur as njohje dhe as interes. Keni provuar madje dhe lidhjet dhe marrëdhëniet e vjetra dhe të reja të të tjerëve në proceset e demontimit. 

Ju dhe të gjithë e dini se kam pasur vetëm një interes, zbatimin e detyrimeve kombëtare dhe ndërkombëtare për t’u bërë vend anëtar i NATO-s

Çfarë lidhje ka dëmi ekonomik i pretenduar,me shpërthimin në Gërdec dhe viktimat? Absolutisht s’ka as lidhje ligjore dhe as shkakësore.

Cili është shpërdorimi i detyrës sipas akuzave tuaja? Akuza që doni t’i mbroni me aludime, arsyetime dhe akte të paligjshme absurde, siç janë aktet e ekspertimit me ekspertë të paligjshëm. Ligji e ndalon që të merrni si ekspertë inspektorë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Auditit, por këtyre ekspertëve të paligjshëm ju keni dhënë autoritetin e prokurorit dhe gjyqtarit, siç u dëshmua sot.

Ju nuk keni zgjedhur ekspertë të pavarur, por keni zgjedhur ekspertët që doni, në kundërshtim të hapur me ligjin. Ata janë përfaqësues të shtetit, në konflikt të hapur interesi.

Pse nuk pranoni të bëni eksperimentin sesi ndodhi shpërthimi? Çfarë ju pengon? Apo vetëm fakti se e dini shumë mirë që keni ndërtuar një proces mbi një provë që nuk ekziston?

Për më tepër, çfarë kuptimi ka në një shtet të së drejtës, kur Prokurori që ka barrën e provës, nuk shpjegon të ashtuquajturat priva, por thotë; “aty i keni aktet, lexojini, se unë do të flas në fund”.

Ky nuk është proces i drejtë, por një proces pa bazë dhe persekutues, duke mos na dhënë mundësinë të argumentojmë e të mbrohemi në kohë.

Po le t’i marrim me radhë cilat janë akuzat tuaja, që i keni marrë copy paste nga ekspertët e paligjshëm, sikur ata të ishin prokurorë:

1- Kompania Amerikane SAC nuk ka qenë e regjistruar në tatime dhe nuk ka paguar 4,000 dollarë dhe për këtë akuzohem unë si Ministër i Mbrojtjes, sepse nuk e kam regjistruar dhe kontrolluar kompaninë.

Ku shkruhet në ligj se rregjistrimin dhe kontrollin e kompanisë duhet ta bëjë Ministri i Mbrojtjes? Së pari, Ministri i Mbrojtjes nuk është inspektor tatimesh. Së dyti, me kompaninë apo drejtues të saj nuk kam pasur asnjë marrëdhënie, të asnjë lloj.

2- Kompania nuk kishte leje mjedisi dhe për këtë akuzohem si Ministër Mbrojtje. Nuk kam qenë as Ministër Mjedisi në atë kohë dhe as inspektor mjedisi.

3- Komapnia nuk ka pasur sipas ligjit të standartizimit leje konformiteti kur keni shkruar këtë akuzë, jam i sigurtë se as ju vetë nuk e dini se çfarë keni shkruar. Ligji për lejen e konformitetit është shfuqizuar në vitin 2007.

4- Më akuzoni se në vitin 2007 kam shkelur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Çfarë paaftësie! Sa qesharake! Sa joprofesionale! Marrëveshja që ju citoni ka hyrë në fuqi në vitin 2009, më shumë se 1 vit pas ngjarjes së Gërdecit apo më shumë se 2 vjet para nisjes së procedurave.

5-Më akuzoni përmes ekspertëve tuaj se Ministri ka zgjedhur kompaninë SAC. Ju nuk doni as të lexoni ligjin e prokurimeve, as praktikat e Ministrisë së Mbrojtjes bazuar në ligj dhe VKM. Ka një praktikë 16 mujore filluar mes MEICO-Shtabi i Përgjithshëm i Forcabe të Armatosura- Struktura të Ministrisë së Mbrojtjes që kanë bërë vlerësimin e teknologjisë dhe interesin ekonomik. Ministri ka respektuar vetëm mendimin e eskpertëve ushtarakë dhe civilë.

6- Për 17 vjet, pa pushuar, në çdo fushatë, më akuzat se isha unë që zgjodha Gërdecin. U provua këtu, në këtë sallë, me dëshmi, fakte dhe dokumenta, që kjo ishte e pavërtetë dhe po në këtë sallë, si pa të keq, u deklarua që nuk është çështja kush zgjodhi Gërdecin, a ishte ai i përshtatshëm apo kush vuri shkrepsen, por pse ministri nuk përcaktoi, nuk kontrolloi rregullat ushtarake të demontimit.

Tani, thoni se nuk është problemi tek Gërdeci, por tek licensimi i depove të municionit.

Sipas kësaj logjike, Ministri i Mbrojtjes është vartës i Shefit të Shtabit.

Po nëse këto do t’i bënte Ministri, pse duhen Kushtetuta, Ligjet, Vendimi i Këshillit të Ministrave, Urdhri i Ministrit të Mbrojtjes, Urdhri i Shefit të Shtabit të Pergjithshëm, Komandat, direktivat, strategjitë, manualet, rregulloret? Pse duhet të ketë staf civil dhe ushtarak, kur na mjaftokërka vetëm Ministri?!

Në asnjë raport, si Ministër i Mbrojtjes nuk kam marrë asnjë informacion se në Gërdec nuk kishte rregulla. Sipas deklarimit të Shefit të Shtabit të Pergjithshëm funksiononte si çakmak dhe ishte si farmaci.

Vetëm 15 ditë përpara shpërthimit, në mbledhjen e Shtabit të Përgjithshëm, u tha se “po të jetë për furrën e Mjekësit (Projekti NATOS) kemi 100 herë më mirë linjën e demontimit në Gërdec.”

E nderuar zonja gjyqtare!

Unë kam qënë Ministër Mbrojtje dhe jam krenar për punën që kam bërë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Kur më bënë Ministër, nuk më pyetën nëse kisha njohuri mbi kalibrat, manualet, rregulloret ushtarake apo demontimin. Vetëm zbor kam bërë se e kërkonte Partia në atë kohë. Kaq është shkolla ime ushtarake.

Nuk di dhe kam bindjen se nuk ka ndonjë nga Ministrat e Mbrojtjes, para dhe pas meje, këtu në Shqipëri apo dhe në vendet e NATO-s, që t’i kenë këto njohuri apo të ngarkohen me përgjegjësi për këto gjëra.

Dy seanca më parë, ju lexova ligjin “Për pushtet dhe autoritet në Forcat e Armatosura”, i cili ka përcaktuar se pse Ministri është civil dhe cilat janë detyrat e Ministrit dhe Forcave të Armatosura.

Ju lexova dhe Manualin Logjistik, i cili ka të përcaktuar se kush e bën licensimin dhe magazinimin e municioneve, distancat apo përcaktimin e kalibrave.

Ma gjeni se ku thuhet, se unë si Ministër duhet të bëj licensimin dhe si duhet ta bëj atë! Pyesni Ministrin e sotëm, dhe gjithë Ministrat para dhe pas meje, a kanë bërë ndonjë licensim depo municioni, magazinim apo licensim demontimi? Përgjigja do të jetë Jo! Sepse kjo nuk ka qenë dhe nuk është detyrë e Ministrit të Mbrojtjes.

7- Më akuzoni se kam rritur kalibrat.

A dini ndonjë nga ju se cilat janë kalibrat dhe si klasifikohen ata? Tek cili akt juridik,l igj apo VKM, janë përcaktuar cilat janë kalibra të mëdhenj apo të vegjël?

Si dhe ku thuhet se Ministri i Mbrojtjes duhet të dijë si ndahen kalibrat dhe, për më tepër, të dijë dhe kundërshtojë vendimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe ushtarakëve të lartë, që kanë mbaruar shkollën ushtarake, janë profesionistë dhe përgjegjës ekskluziv të fushës ushtarake dhe kanë përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore, janë pikërisht ata të cilët kanë përgatitur plane, rregullore e urdhra për këtë çështje, në plotësim të detyrave të tyre.

Pse nuk analizoni për një moment se përse Ministri është civil, por dhe përse detyra e ushtarakut nuk pajtohet me asnjë detyrë tjetër shtetërore, pa u liruar më parë si ushtarak? Sepse Ministri është civil dhe ushtaraku, ushtarak.

Pse Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është këshilltar i Presidentit, Kryeministrit dhe Ministrit? Sepse ai ka ekspertizën më të lartë ushtarake, për të mbështetur politikat e shtetit. Por ka edhe një detyrë tjetër. Nëse ministri lajthit apo vepron kundër ligjit, ai nuk e zbaton urdhrin dhe i kërkon Presidentit dhe Kryeministrit të ndërhyjnë.

Po ashtu, pse Komandantët e Forcave janë këshilltarë të Ministrit bashkë me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm? Sepse në çështjet ushtarake operacionale dhe zbatuese, përqëndrimi i autoritetit në një dorë, i pabalancuar, ka një rrezik për demokracinë dhe sigurinë kombëtare të vendit.

8- Në seancën e fundit, Prokurori ka thënë se Ministri ka përgjegjësi se ka urdhëruar që transportin ta bëjnë Forcat e Armatosura dhe se duhet të shkruante se kush do ta paguante trasnsportin, duke iu referuar urdhrave të shkruar nga Ministrat e tjerë.

Po çfarë është Ministri, financier i MEICO-s apo i Komandës Mbështetëse? Nëse ka pasur urdhra të Ministrave të tjerë, siç thotë Prokuroria, ato kanë përcaktuar si bëhet transporti, si paguhet dhe kush janë të detyruar për zbatim, gjë e cila shkruhet në fund të urdhrit të Ministrit.

Nuk di ndonjë urdhër Ministri, të shkruajë që ky urdhër hyn në fuqi dhe përgjigjet për zbatim Ministri, apo Ministri që do të vijë më pas. Por në fund të çdo urdhër Ministri për demontimin dhe transportin, vendoset: përgjigjen për zbatim Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Logjistike, Komandat, Sekretari i Përgjithshëm dhe MEICO. 

Kam bërë shumë mirë që kam urdhëruar që transporti të bëhet nga Forcat e Armatosura (KML), me grafik dhe sipas sasive që demontohen çdo ditë, sepse transporti i municioneve është operacion ushtarak dhe si i tillë, i ka përgjegjësitë të përcaktuara në ligjin për FA.

E ka kërkuar Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura që në memon e parë për kërkesën e SAC, në daten 28 dhjetor 2007.

Praktika e urdhërave të Ministrave për kalim municoni MEICO-s, apo për demontim me uzinat, kompanitë private dhe kompaninë EOD, të cilat i kam këtu dhe po kështu kanë qenë në çdo urdhër Ministri.

Këtu keni gjithë Urdhrat e Ministrit të Mbrojtjes, rreth 39 të tillë, të dalë në zbatim të Kushtetutës, ligjit dhe VKM-ve, që nga viti 2000, nga Ismail Lleshi, Luan Rama, Pandeli Majko, Gazmend Oketa, Arben Imami, dhe ka pasur më shumë se 40 të tjerë nga Imami dhe Kodheli.

Të gjithë këto urdhra të Ministrave të Mbrojtjes urdhërojnë se transporti të bëhet nga KML (4001) dhe asgjëkundi nuk gjeni asnjë fjalë të shkruar se kush paguan transportin e municioneve që i jepen MEICOs.

Po ashtu, janë rreth 46 urdhëra të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm , në zbatim të urdhrave të Ministrave, të cilët, po ashtu, urdhërojnë KML apo komandat ushtarake të bëjnë transportin e municioneve.

A e kishte kaq vështirë Prokuroria të bënte këtë krahasim??

Thoni se nuk kam vendosur se kush paguan transportin.

Ka Konventa Ndërkombëtare, Ligje si Kodi Rrugor, Ligji i Forcave të Armatosura mbi 4 VKM dhe Urdhra, të cilat kanë përcaktuar se transporti i municioneve si mallra të rrezikshme, bëhet nga Forcat e Armatosura.

Ka VKM dhe urdhra të Ministrave të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm që tregojnë se sa janë tarifat e transportit, llojet e mjeteve, kualifikimi i shoferëve, dokumentat dhe autorizimet përkatëse, si dhe kush paguan.

Ka kontrolle të Auditit të Brendshëm apo KLSH, të cilët nuk kanë gjetur asnjë shkelje, por kanë detyruar se si bëhet qarkullimi i mallrave brenda sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes, bazuar në VKM 45/1994.

A ka qënë MEICO pjesë e sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes?

MEICO (Military Import Export Company) me anglishten time do të thotë Kompania Ushtarake e Import Eksporteve dhe kështu është shkruar në VKM nr 366/1991.

Pra MEICO, jo vetëm është pjesë e sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes sipas VKM 366/1991, por është dhe e vetmja ndërmarrje që ka shteti shqiptar, që merret me shitjen dhe blerjen e municioneve, për më tepër që në TOP e FA, figuron me numër reparti 6020.

Më gjeni një urdhër Ministri në çdo ministri, të çdo Ministri, i cili, në urdhrat e tij, t’i referohet urdhrit të Ministrit paraardhës. Absolutisht nuk ka, sepse në urdhrat e tij, Ministri i referohet akteve më të larta ligjore, si Kushtetuta, Ligji, VKM dhe urdhrat e Kryeministrit.

9- Mbi 30 milion euro harxhoi shteti, nuk fitoi por harxhoi pas Gërdecit, për demontimin e mbi 80 mijë ton municioneve.  A e dini se kush i ka transportuar këto municione? Pikërisht Forcat e Armatosura! Dhe po ato kanë paguar, ka paguar po shteti, Forcat e Armatosura. Edhe nëse do të paguante MEICO, përsëri para të buxhetit të shtetit ishin.

Nëse prokuroria në atë kohë nuk donte apo nuk i dinte këto fakte, SPAK për dy vjet mund t`i hetonte, por duke e ditur shumë mirë se çështja është parashkruar, e dorëzoi atë akuzë të paprekur, pa vlerësuar asnjë fakt apo shqyrtimet gjyqësore për Gërdecin, ku janë dënuar 22 veta dhe asnjë për bashkëpunim me Ministrin, transportin apo urdhrit që i referohet Prokuroria.

E nderuar gjyqtare!

Përpara disa kohësh në BBC, Ministri Britanik i Mbrojtjes Grant Shapps, u pyet se a duhet të kishte njohuri ushtarake, se nëse e dinte sesa grada janë në Ushtrinë Britanike, duke filluar nga grada më e lartë Field Marshall dhe ai u përgjigj që nuk e di, sepse kjo nuk është detyrë e Ministrit, se ai ishte politik dhe jo ushtarak, edhe pse një pjesë të madhe të atyre gradave, me përjashtim të gjeneralëve, i jepte ai.

Ai është akoma Ministër, nuk e shkarkuan se nuk e dinte, se nuk ishte detyrë e tij, nuk e morën në akuzë për shpërdorim detyre se nuk ishte detyrë e tij.

Gjeneralë të lartë të NATO-s, si dhe Ministra të Mbrojtjes së SHBA, Gjermanisë, Britanisë dhe Italisë, që na ndihmuan të mësojmë ç’është NATO dhe na antarësuan në NATO, pranuan të dëshmonin në këtë gjyq në favor të drejtësisë dhe të vërtetës. Unë u jam mirënjohës që ata iu përgjigjën kërkesës sime, por, deri tani, ju nuk keni pranuar t’i pyesni si dëshmitarë me pretendimin se janë të huaj dhe jo të rëndësishëm. E mbajtët këtë qendrim, edhe pse jua shpjeguam rëndësinë e dëshmisë së tyre.

Ata dhe kushdo ushtarak apo civil që ka minimumin e idesë për rolin e Ministrit të Mbrojtjes dhe FA, deklarojnë se këto akuza janë absurde dhe nuk mund të ndodhin në një vend të NATO-s, por ja që ndodhin në Shqipëri.

Nëse ju nuk do t’i pranoni këto dëshmitarë në emër të së drejtës, unë do t’ii bëj publike qëndrimet dhe deklarimet e tyre.

Asnjë demokraci, vend anëtar i NATO-s, nuk do t’i pranonte këto akuza, të cilat janë të ngjashme me shtetet e Juntave ushtarake.

Vetëm në Juntat ushtarake, civilët, janë nën kontrollin dhe urdhrat e ushtarakëve, njësoj siç kërkohet këtu.

Në këtë proces, të dyja palët, Prokuroria dhe i akuzuari, duhet të kenë të drejtat dhe trajtim të barabartë, të përcaktuar qartë në Kodin e Procedurës Penale, të cilat janë detyrim dhe duhet të respektohen nga Gjykata.

Jo vetëm nuk jam pyetur për 17 vjet, por as nuk më keni komunikuar asnjë akt ekspertimi, nuk më keni dhënë mundësi të bëj vlerësimet e mia mbi aktet dhe ekspertët paraprakisht, siç thotë ligji, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Europiane. Të gjitha këto janë të qëllimshme, për të mbajtur gjallë një proces jo juridik, por politik.

Unë kam ardhur në respekt të Gjykatës dhe drejtësisë për një proces të drejtë ligjor dhe jo për gjyqet politike famëkeqe të kohës së shkuar, ku vendos “partia” dhe jo ligji.

Prandaj, ju kërkoj e nderuar Gjyqtare, duke falënderuar gazetarët, që ky gjyq të bëhet live, në prani të kamerave të televizioneve.

Kjo kërkesë e fundit e imja është për të provuar pakundërshtueshmërinë e transparencës, që unë dëshiroj të përcjell në këtë proces politik joligjor, por edhe rruga e vetme për të shmangur subjektivizmin e qëllimshëm dhe mos respektimin e ligjit.

Për sa thashë më sipër, i kërkoj avokatëve të mi, duke filluar që nga seanca e ardhshme, të kontestojnë me akt të shkruar, në përputhje me ligjin, çdo shkelje ligjore dhe njëanshmëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA