Vrasja e policit në Fier/ Komisioni i Sigurisë mban 1 minutë heshtje, Salianji: Dënojmë ashpër ngjarjen, gjendja e kriminalitetit në vend është e rëndë

14/05/2024 14:04

Vrasja e policit të forcave “Shqiponja” Novruz Cenalia në Fier nga Azgan Mernica, ende në arrati, është diskutuar edhe në Komisionin e Sigurisë.

Deputeti Ervin Salianji shprehu ngushëllimet për familjarët, ndërsa dënoi ashpër ngjarjen e rëndë. Ai theksoi faktin që organet ligjzbatuese duhet të nxjerrin para ligjit autorin dhe të ndëshkohet sipas ligjit. “Gjendja e kriminalitetit në vend është e rëndë”, tha Salianji.

Në përfundim, deputeti propozoi një minutë heshtje në nder të policit të vrarë. Pas kësaj, anëtarët e Komisionit të Sigurisë janë çuar në këmbë dhe mbajtën heshtje në nderim të efektivit të ndjerë.

“Ne i bashkohemi dhimbjes të familjarëve të policit të vrarë, por edhe dhimbjes së kolegëve të tij që humbën një djalë të ri. Ne e dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë ngjarje dhe organet ligjzbatuese duhet të përdorin forcën më të madhe që i jep ligji për të nxjerrë para drejtësisë autorin dhe për të marrë ndëshkimin e merituar. Ne do të marrim pjesë në çdo homazh, ishallah i fundit, që ka të bëjë me punonjës policie që humbin jetën. Fakti që vihet dorë mbi punonjës të Policisë së Shtetit tregon fatkeqësisht që gjendja e kriminalitetit në vend është e rëndë. Ne duhet të bëjmë më shumë që të merren masa, që ngjarje të tilla mos ndodhin më. Do dëshiroja që në nder të efektivit të vrarë të mbanim 1 minutë heshtje”, tha deputeti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA