Kombëtarja shqiptare e futbollit pati një short të vështirë në kualifikimin e saj të dytë në një kampionat europian. Shorti ku Shqipëria është së bashku me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë u konsiderua si “grupi i ferrit”.
Por trajneri i kombëtares, braziliani Sylvinho u shpreh optimist për situatën duke thënë se mund të ketë të papritura gjatë një kampionati të tillë.
“Çdo gjë mund të ndodhë në një turne të jashtëzakonshëm si ky dhe që zhvillohet në një kohë kaq të shkurtër. Do të jetë një muaj intensiv kur të gjithë ekipet do të japin maksimumin e tyre në arritjen e objektivave”, u shpreh Sylvinho.
Kombëtarja shqiptare e nis udhëtimin në kampionatin europian me ndeshjen ndaj Italisë më 15 Qershor në Dortmund. Trajneri pavarësisht potencialit të Italisë, beson te dëshira e lojtarëve që drejton për të arritur një rezultat pozitiv.
“Do të jetë një ndeshje kundër një Italie të fortë, që mbron titullin e kampionit të Europës të fituar nën drejtimin e mikut tim Roberto Mancini. Sot Italia drejtohet nga një trajner tjetër i madh dhe ata e kanë lojtarë shumë të mirë. Do të na duhet shumë sakrificë, por unë u besoj lojtarëve të mi”, tha braziliani.
Përpara nisjes së kampionatit, Shqipëria do të ketë edhe dy ndeshje të tjera miqësore, këtë herë me Lihteshtejnin dhe Azerbajxhanin.
Top Channel