Është kthyer në një mision të pamundur për Gjykatën Antikorrupsion, që të shprehet brenda 30 ditëve sikurse e kërkon ligji, për kalimin ose jo në gjykim të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish zv-ministrit të Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe shtatë të tjerëve të akuzuar nga shpërdorimi i detyrës, falsifikimi dhe mashtrimi me pasoja të rënda.
Seanca e parë paraprake u mbajt në 13 mars, ndërkohë që seanca e radhës u shty për në datën 3 qershor. Ish-ministri i Shëndetësisë këmbëngul studimin e plotë të akteve, ndërkohë që ende nuk ka marrë edhe 60 CD, 11 DVD, 3 hard disqe dhe 8 USB.
“Në volumet e dosjes, përveç fletëve, ka brenda edhe CD, DVD apo USB, që nuk mund të skanohen, prandaj nuk na janë dhënë. Kemi kërkuar të na japin një kopje të tyre, akoma nuk na është plotësuar kjo kërkesë”, tha Beqaj.
Shtyrjet e njëpasnjëshme të seancë paraprake në dosjen e sterilizimit, deri tani nuk kanë asnjë pasojë sa i përket çështjes së afateve. Megjithatë, nga nëntë të akuzuar, vetëm dy prej tyre Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj mbahen në paraburgim, dhe ende nuk mund të thuhet nëse do të përsëritet i njëjti precedent, si ai i ish-kryebashkiakut Vangjush Dako, i cili u lirua pikërisht për shkak të afateve.
Që Ilir Beqaj do të merrej gërmë për gërmë me SPAK, u kuptua nga kërkesa e tij për t’i marrë aktet pa pagesë.
Veç akuzave të SPAK, që dorëzoi çështjen në gjykatë në fund të marsit, për dhënien me koncesion të pajisjeve të sterilizimit janë të sekuestruar edhe kuotat e shoqërive si dhe llogari bankare.
Top Channel