Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, dhe ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, zhvilluan një vizitë në Beograd, e para herë kjo që personalitete kaq të larta ukrainase ndikojnë në Serbi që kur Moska sulmoi Ukrainën shkurtin e vitit 2022.
Ndalesa e tyre filloi me një vizitë në Bibliotekën e Qytetit të Beogradit, ku u shoqëruan nga Tamara Vuçiç, bashkëshortja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Zelenska vizitoi qytetin dhe kështjellën mesjetare serbe Kalemegdan, njoftoi agjencia serbe e lajmeve Tanjug, ndërsa mori pjesë edhe në nënshkrimin e një marrëveshjeje për bashkëpunim në mes të universiteteve të Beogradit dhe Kievit.
Serbia e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, e cila përfshin gadishullin e Krimesë, i cili u aneksua nga Rusia në 2014. Megjithatë, edhe pse një kandidate për anëtarësim në Bashkim Europian (BE) prej vitit 2012, Serbia nuk e ka përshtatur politikën e vet të jashtme me atë të Brukselit, duke mos vendosur sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës fqinje, e cila ndërkohë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Zelenska dhe Kuleba, mbërritën për të vizituar Serbinë dhjetë ditë pas zgjedhjes së Qeverisë së re serbe, pjesë e të cilës janë edhe dy ministra të afërt me Rusinë, gjë për të cilën Beogradi është kritikuar nga BE-ja dhe SHBA-ja.
Aleksandar Vulin – i cili është nën sanksionet e SHBA-së prej korrikut 2023, mes tjerash, për shkak të lidhjeve me Rusinë – u emërua zëvendëskryeministër. Ndërsa, Nenad Popoviq, i cili është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të lidhjeve me Rusinë – u emërua ministër pa portofol. Vetë Vuçiç është takuar tre herë me presidentin ukrainas Zelensky që prej shkurtit 2022, kur filloi pushtimi rus. Pavarësisht lidhjeve me Moskën, Serbia ka pranuar mijëra refugjatë ukrainas, ka dërguar ndihma humanitare në Ukrainë dhe ka premtuar se do ta ndihmojë Kievin në përpjekjet e tij për rindërtim të pasluftës.
Top Channel