Kryeministri Rama mbërrin në stadiumin “Galatsi”, pritet me brohorima dhe duartrokitje nga emigrantët.
Mijëra emigrantë shqiptarë të cilët jetojnë në Greqi kanë pritur kryeministrin shqiptar, ndërsa stadiumi grek është veshur kuq e zi.
Rama zgjodhi që turin me Diasporën shqiptare kudo në botë ta nisë me Athinën, atje ku jetojnë mijëra shqiptarë.
Kreu i qeverisë shqiptare shoqërohet nga bashkëshortja e tij Linda, anëtarë të kabinetit të tij, deputetë, 50 gazetarë dhe këngëtarët Noizy, Era Rusi e Ylli Baka.
Takimi nisi me Himnin shqiptar dhe u pasua nga performanca e Era Rusit dhe Noizyt.
Avioni që shoqëronte kryeministrin Rama mbërriti në aeroportin e Athinës rreth orës 11:00, ku forca të shumta policore e shoqëruan në stadiumin “Galatsi”.
Autoritetet greke kanë marrë masa shumë të rrepta sigurie për vizitën e sotme të kryeministrit Rama në Athinë.
Qindra punonjës policie (MAT, EKAM, OPKE, DIAS, Siguri, Qarkullim) do të jenë në dispozicion për të siguruar kalimin e qetë të Edi Ramës në vendin ku do të zhvillohet fjalimi i tij dhe për ta mbrojtur atë deri në momentin e largimit të tij.
Rama do të zhvillojë gjatë ditës edhe takime me bashkatdhetarë, anëtarë të partisë së tij dhe biznesmenë, si dhe pritet të shpërndajë broshurat për marrëdhëniet dypalëshe.
Rama pritet të shkojë në aeroportin e Athinës në orën 18:00-19:00 pasdite.
Top Channel