“Kemi arritur të çelim negociatat për pensionet”, Rama jep lajme të mira për emigrantët në Greqi: Procedurat e marrjes së shtetësisë dhe lejet e qëndrimit kanë progres

12/05/2024 14:16

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës para emigrantëve shqiptarë në Athinë, tha se janë nisur negociatat për marrëveshjen për pensionet e emigrantëve dhe se janë hapur negociatat për procedurat e marrjes së shtetësisë apo të lejes së qëndrimit. 

Rama theksoi se kjo arritje është falë qeverisë aktuale, ndërsa për marrëveshjen e pensioneve theksoi atë me Italinë si një referencë pozitive, por edhe komplekse, sepse faktori shqiptar ka peshë në këto dy vende, thotë kryeministri.

“Më në fund, me qeverinë aktuale, se me ato më përpara as nuk bëhej fjalë, kemi arritur të çelim negociatat në nivel ekspertësh për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë. Është një marrëveshje për të cilën deri dje nuk shikonim asnjë dritë në fund të tunelit, ndërkohë që besojmë se pas realizimit të marrëveshjes për pensionet me Italinë, kemi dhe një referencë shumë pozitive sepse faktikisht ajo me Italinë dhe kjo me Greqinë, janë dhe dy marrëveshjet më komplekse për shkak dhe të peshës që ka faktori shqiptar në të dyja shtetet”, tha Rama.

Për sa i përket lejeve të qëndrimit dhe procedurën e marrjes së shtetësisë me natyralizim, kryeministri tha se dialogu është hapur në nivel teknik dhe që ka progres.

“Po ashtu dhe besoj që kjo ju intereson shumë, kemi hapur edhe dialogun dypalësh në nivel teknik për problematikën e lejeve të qëndrimit dhe procedurën e marrjes të shtetësisë me natyralizim dhe ka goxha progres dhe unë jam besimplotë që shumë shpejtë ju do të merrni lajme shumë të mira”, tha kreu i qeverisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA