Performaca artistike do të jetë pjesë e takimit që kryeministri Edi Rama do të mbajë nesër në Athinë me diasporën.
Gazetari Artur Bibe raporton se Rigels Rajku, i njohur si Noizy, do të këndojë për mijëra të pranishmit, ndërsa pritet edhe pjesëmarrja e këngëtares së njohur Era Rusi.
Kryeminstri do të jetë i shoqëruar nga rrth 150 persona, gazetarë ministra, deputetë dhe artistë.
“Është caktuar salla, ku do të mbahet takimi. Rama do të jetë i shoqëruar nga rreth 150-170 persona, deputetë, ministra, anëtarë të kabinetit qeverisës dhe staf. Do të ketë një mbulim të gjerë të mediave shqiptare, pothuajse të gjitha televizionet kanë ekipe të dërguarish”, raporton Bibe.
Takimi kulmon me mbërritjen e kryeministrit Shqiptar i cili, i rrethuar nga rreth 60 fëmijë që do të kenë veshur bluza me flamurin shqiptar do të shpalosë për diasporën shqiptare në Greqi strategjinë e partisë që ai drejton për Shqipërinë e vitit 2030.
Takimi do të mbahet në Christmas Theatre, me të cilin qeveria ka firmosur marrëveshjen për marrjen me qira të sallës. Mbas kontrolleve të fundit të sigurisë prej policisë greke, salla është mbyllur për mediat dhe publikun.
Ndërkohë, për sigurinë e Ramës, qeveria greke ka vënë në dispozicion një autoveturë tip “BMW” të blinduar dhe forca të shtuara sigurie.
Mbas mbarimit të takimit me diasporën, kryeministri do të marrë pjesë në asamblenë e PS në Greqi dhe do të shpërndajë karta anëtarësimi për dhjetëra të rinj që zgjodhën e anëtarësohen në partinë socialiste. Rreth orës 20.30 kryeministri shqiptar dhe delegacioni që e shoqëron atë pritet të largohen drejt Tiranës.
Top Channel