Vijojnë sulmet ruse në Harkiv, shkatërrohen shtëpi dhe plagosen dy civilë

10/05/2024 11:09

Ukraina i shkatërroi të gjithë 10 dronët me të cilët Rusia e sulmoi gjatë natës, por dy njerëz u plagosën dhe disa shtëpi banimi u dogjën në rajonin e Harkivit si pasojë sulmeve, thanë zyrtarët ukrainas të premten.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë në një komunikatë në Telegram se Rusia i shkrepi edhe dy raketa kundërajrore.

Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Illya Yevlash, tha se Rusia me gjasë i përdori këto raketa për ta sulmuar qytetin verilindor të Ukrainës, Harkiv.

Oleh Sinehubov, guvernatori i rajonit të Harkivit, tha se tre shtëpi banimi u dogjën dhe dhjetëra të tjera u dëmtuan si pasojë e sulmeve ruse gjatë natës.

Ai shtoi se cak i sulmeve ishin infrastruktura dhe zonat e banimit.

Në fotografitë që Sinehubov i postoi në Telegram mund të shihen shtëpi banimi të përfshira nga zjarri.

Dy njerëz, përfshirë një fëmijë 11 vjeç, pranuan ndihmë mjekësore, tha Sinehubov.

Pavarësisht provave dhe dëshmive, Moska e mohon se në shënjestër të sulmeve të saj janë objektivat civile.

Rusia e ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Perëndimi është përgjigjur duke ndërmarrë një varg sanksionesh kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA