Taulant Seferi vijon të shfaqet protagonist me ekipin e Bani Yas në Emiratet e Bashkuara Arabe. 27-vjeçari regjistroi asistin numër 4 sezonal në takimin në shtëpi përballë Al Sharjah.
Pavarësisht se skuadra e tij u mposht me shifrat 2-3, futbollisti i kombëtares shqiptare prodhoi një moment të rëndësishëm në minutën e 53’. Seferi, i cili ndodhej në limitet e zonës së 16-metrave shërbeu për Alvarez, i cili goditi fort në mënyrë të menjëhershme për të ndalur topin në trekëndëshin e portës.
Ekipi Bani Yas i Taulant Seferit nuk arriti të barazonte deri në fundin e takimit, teksa mbeten në vendin e 10-të në tabelën e klasifikimit me 22 pikë. Seferi ka pasur një sezon mjaft produktiv në aspektin personal teksa në 21 ndeshje të luajtura ka realizuar 9 gola dhe ka dhuruar 4 asiste.
Forma e mirë e sulmuesit është një lajm goxha i mirë edhe për kombëtaren kuqezi më në krye trajnerin Sylvinho, që shpreson ta ketë organikën në formë sa më të mirë për Euro 2024.
Top Channel