Protesta kundër Izraelit në Eurovizion: Rusinë e përjashtuat për Ukrainën!

10/05/2024 13:32

Me mijëra vetë protestuan në Malmo të Suedisë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Festivalin Europian të Këngës.

Barrikada metalike dhe blloqe të mëdha betony u vendosën përreth Arenës së qytetit suedez që mikpret Festivalin Europian të Këngës, Eurovision 2024, ndërsa forcat vendase të policisë u përforëcuan edhe me njësi policore nga Danimarka e Norvegjia.

Përfaqësuesja e shtetit hebre Eden Golan, u kualifikua për në finale me këngën e saj “Hurricane”, të cilës u detyrua t`ia ndryshonte  titullin dhe vargjet para se të lejohej të garonte. Fillimisht kënga titullohej “October Rain”, (Shiu i tetorit), duke iu referuar sulmit të 7 tetorit të Hamasit ndaj Izraelit, që nxiti dhe ofensivën e shtetit hebre. Por as kjo nuk e fashiti zemëratën e protestuesve, që ndezën flakadanë me ngjyrat e flamurit të Palestinës gjatë tubimit të zhurmshëm, ku pjesëmarrësit përsëritën pa pushim sloganin “Nga lumi e deri në det, Palestina do të jetë e lirë” si dhe “Izraeli, shtet terrorist”, duke bërë thirrje për armëpushim në Gaza.

“Unë jetoj këtu, ne themi se jemi demokraci por askush nuk bën asgjë. Fëmijët po vdesin atje, njerëzit vriten dita-ditës. Nuk mund të vazhdohet më kështu. Dhe njerëzit këtu në Eurovision duan të festojnë. S`ka asgjë për të festuar, në mesin e një lufte që s`ka të ndalur”, tha Mustafa Mustafa, protestor.

Organizatorët e protestës thanë se do të marshojnë sërish kundër pjesëmarrjes së Izraelit para finales të së shtunës. Me pretendimin se festivali europian i këngës është jopolitik, EBU-ja që organizon konkursin mbarëkontinental të pop-it, vendosi të lejojë Izraelin në garë, pavarësisht muajsh të tërë kundërshtimesh ndaj pjesëmarrjes së tij, në pikun e luftës Izrael-Hamas.

Kritikët i kujtuan organizatorëve përjashtimin e Rusisë nga gara për shkak të pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Po ashtu një vit më parë edhe Bjellorusia u përjashtua për shkak të historikut të saj me të drejtat e njeriut dhe lirinë e shtypit. Ne festivalin e këtij viti po ashtu nuk lejohet shfaqja e flamujve palestinezë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA