“Ka presion politik”, Wisner: Reforma në Drejtësi, e pakthyeshme! SHBA mbështet arritjet e institucioneve dhe pavarësinë e gjyqësorit

10/05/2024 11:58

I ngarkuari me punë i ambasadës së SHBA në Tiranë, David Ëisner ka qenë i pranishëm këtë të premte në takimin e organizuar nga KLGJ dhe KLP për Ditën e Drejtësisë.

Ai u shpreh se pavarësisht se Reforma në Drejtësi, nuk është perfekte, qytetarët duhet të jenë krenarë për arritjet e bëra deri më tani.

“Reforma në Drejtësi nuk është e lehtë apo perfekte por të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të jenë krenarë. Ju dhe institucionet e tjera të pavarur po sillni përgjegjshmëri. Shqiptarët mund të kenë besim se do të trajtohen në mënyrë të barabartë”- tha Wisner.

Më tej ai bëri të qartë se pavarësisht presionit politik, Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme dhe se SHBA-të presin që institucionet e drejtësisë së re, të krijuara më 2016-ën, të jenë afatgjata.

“Sfidat me të cilat përballeni, janë të mëdha, do të ketë më shumë vetting, standarte më të mëdha në institucione duke qenë se ka edhe presion politik dhe pritshmëritë janë të mëdha. Është me shumë rëndësi puna juaj, takimi juaj është një shembull i jashtëzakonshëm që tregon se institucionet nuk mund të punojnë vetëm. Mund t’ju them se SHBA është krenare që punon me KLP me prokurorët, me gjykatësit për të ndihmuar Shqipërinë për një të ardhme më të mirë. Numri i dosjeve, mbushja e vakancave, ka akoma proces vettingu, ka presion politik, pritshmëri të larta nga publiku, dhe ju do të vazhdoni të punoni.

Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme, ne presim që institucionet e krijuara në 2016-ën të jenë afatgjata. Duhet bërë më shumë nga politikanët për të përmirësuar qeverisjen. Iu premtoj se SHBA do e mbështesë përpjekjen për reforma për pavarësinë e gjyqësorit. Inkurajojmë më shumë bashkëpunim me Shoqërinë Civile për të zbatuar reformat e duhura”- shtoi i ngarkuari me punë i SHBA në Tiranë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA