Kanë dalë detaje nga ekzekutimi i shqiptarit Roan Brahimi në Greqi mbrëmjen e djeshme.
Ai u qëllua në automjetin e tij për vdekje nga dy persona të cilët ishin me një motoçikletë. Gruaja 37-vjeçare që ndodhej me të në makinë, i shpëtoi këtij atentati duke u plagosur lehtë. Sipas mediave greke, Roani jetonte me gruan e tij e pranë vendit të ngjarjes. Sipas dëshmitarëve ata kishin shkuar të merrnin djalin e tyre i cili po luante me fëmijë të tjerë.
“Vajza ime e vogël po luante me fëmijën e tij, dëgjuam të shtënat dhe vrapova për të parë nëse ishte diçka apo ishte thjesht një lojë. Vogëlushi qante dhe thoshte “babai im, babi im”, thotë një grua dëshmitare.
“Dëgjuam të shtënat, menduam se ishin ato për Pashkë, dinamit. E kuptuam që diçka ndodhi, vrapuam, pamë makinën të parkuar në cep dhe gruaja e tij bërtiste “ndihmë, ndihmë”. Erdhën për të marrë fëmijën që luante”, përshkruan një dëshmitar okular, duke përmendur se çifti ishte vetëm në makinë.
“Ishin dy të shtëna, si dinamit. E pashë djalin të mbuluar me gjak”, thotë një tjetër dëshmitar okular.
32-vjeçari njihej edhe me emrin Sidorel Prendi dhe vrasja e tij sot dyshohet se ka lidhje me hakmarrjen, pasi emrat e tij janë përfshirë në dy dosje të bujshme, vrasja e Briland Martinajt dhe atentati ndaj Ylli Ibraimajt.
Edhe në vitin 2021 ai u shpall në kërkim nga policia, pasi së bashku me dy persona të tjerë shkaktuan terror në një lokal në Zejmen të Lezhës.
Bashkë me Ramazan Rrajën dhe Alesio Dobrozi, ata u futën të armatosur me kallashnikov duke kërkuar pronarin, ngjarje e ndodhur në vitin 2021.
Mbrëmjen e 13 nëntorit të vitit 2021 ata kërcënuan dhe kryen kontrolle ndaj klientëve, për kartat e tyre të identitetit.
Po ashtu, Roan Brahimi rezulton i arrestuar edhe në vitin 2018 në Lezhë, ku iu sekuestruan municione, Euro dhe bizhuteri të dyshuara nga veprimtaria kriminale e vjedhjes.
Do të jenë hetimet ato që do të zbardhin skedat e vjetra të viktimës dhe me cilën ngjarje ka lidhje atentati.
Top Channel