Rienergjizim i Diasporës për Shqipërinë 2030/ Takimi i Ramës me emigrantët në Greqi, caktohet vendi ku do të zhvillohet

09/05/2024 18:56

Takimi i kryeministrit  Edi Rama me diasporën shqiptare në Greqi do të zhvillohet të dielën në orën 11:00 në stadiumin e Galacit.

Takimi i tij që pritet të zhvillohet të dielën, 12 maj është shoqëruar me reagime nga pala greke.

Opozita greke e konsideron një veprim provokues në 1 vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit, vizitën e Ramës.

Kryeministri një ditë më parë reagoi përmes një postimi në rrjete sociale se kjo vizitë s’ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet e Parlamentit Evropian në Greqi, apo ndonjë narrativë specifike që mund të zgjojë interesin e politikanëve grekë.

Nga ana tjetër, një intervistë për gazetën ProtoThema, midis të tjerash kryeministri grek Mitsotakisu pyet nëse është i mirëpritur për vizitë në Athinë homologu i tij shqiptar Edi Rama.

“Ai nuk vjen si mysafir i qeverisë greke, pra nuk është një vizitë, me karakteristika dypalëshe”,  ka thënë  Mitsotakis.

“Ai vjen, për të folur me bashkatdhetarët e tij. Ai ka të drejtë ta bëjë këtë. Por përtej kësaj, mendoj se edhe ky është një opsion që në kohën e tanishme, në kushtet e zgjedhjeve evropiane, më duket mjaft i panevojshëm. Qeveria greke nuk mundet, ne jemi demokraci, ne nuk e ndalojmë të drejtën e tubimit që është e garantuar me kushtetutë, ndaj nuk i kushtoj kaq shumë rëndësi kësaj”, është shprehur ai.

Gazetari : Por në kuptimin që ai ka kërkuar një sallë të hapur për një tubim të madh? Nuk e di tani me Fredi Belerin në burg dhe një grup të madh njerëzish që festojnë për zotin Rama nëse është…

Kyriakos Mitsotakis: Prandaj thashë se ishte një zgjedhje e panevojshme. Kemi probleme në marrëdhëniet greko-shqiptare…

Gazetari: Nuk do ta ndaloni këtë tubim?

Kyriakos Mitsotakis: Jo, nuk do ta ndalojmë.

Gazetari: Edhe nëse bëhet në një vend të hapur?

Kyriakos Mitsotakis: Por sigurisht që nuk është edhe diçka që ne të kemi ndonjë arsye të veçantë për ta lehtësuar. Ne as nuk do ta ndalojmë dhe as do ta lehtësojmë. Por më lejoni t’ju them edhe një gjë: në të vërtetë ky rast ka krijuar një tension të madh në marrëdhëniet greko-shqiptare. Çështja nuk është dypalëshe, është evropiane, pavarësisht atyre që pretendojnë se është një çështje që ka të bëjë vetëm me pakicën kombëtare greke. Bëhet fjalë për shtetin e së drejtës dhe mënyrën sesi Shqipëria i trajton minoritetet, ka të bëjë me mënyrën se si funksionon gjyqësori shqiptar. Qeveria greke do të vazhdojë të ngrejë këto çështje.

Dhe dua t’ju kujtoj se në fletën tonë të votimit nuk kemi një, por dy përfaqësues nga minoriteti grek dhe veçanërisht me Himarën si pikë referimi. Dhe të them edhe diçka tjetër, kemi edhe një përfaqësues të pakicës myslimane në fletëvotimet tona.

Kreu i qeverisë, Edi Rama do të nisë një tur takimesh me diasporën shqiptare nëpër botë. Pas Athinës, më 26 maj Rama do të jetë në Milano, më 2 qershor në Londër dhe më 16 qershor në Dyseldorf.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA