“Navagio”, i cilësuar si një ndër plazhet më të bukur në Greqi dhe në botë, për sezonin veror të këtij viti nuk do të jetë i aksesueshëm nga pushuesit dhe turistët.
Edhe pse gjiri i vogël në ishullin e famshëm të Zakynthos është shndërruar në një nga destinacionet më të vizituara helene për shkak edhe të anijes së mbytur në 1980, “Panagiotis”, që gjendet në breg, autoritetet i kanë vendosur “kyçin”.
Plazhi i njohur edhe si “Limani i kontrabandistëve”, ku shihen në pëllëmbë të dorës ishujt e detit Jon, do të qëndrojë i mbyllur me vendim të katër ministrive, përkatësisht asaj për Mbrojtjen e Qytetarëve, ministrisë së Politikave Detare dhe Ishujve, ministrisë së Turizmit dhe Krizave Klimatike, e asaj të Mbrojtjes Civile.
Vendimi është marrë pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve vendore dhe garancive për bërjen të aksesueshme të anijes së mbytur, e cila dyshohet se kryente kontrabandë cigaresh dhe alkooli nga ish-Jugosllavia. Turistëve dhe pushuesve vendas nuk do tu lejohet qarkullimi dhe afrimi, apo ankorimi i varkave dhe as noti i atyre që ndodhen në bord kudo në gji, konkretisht në zonën detare brenda vijës imagjinare, që bashkon dy skajet verior dhe jugor të gjirit.
Ndalohet hyrja e vizitorëve, me një kufi ndalimi 10 metra nga buza e shpatit ranor. Rikujtojmë, se Greqia ka filluar të shpërndajë kupona për një pushim shtatë-ditor falas për turistët që u detyruan të largoheshin nga hotelet e tyre në ishullin grek të Rodosit gjatë verës së vitit 2023 për shkak të zjarreve në pyje. Rreth 25,000 turistë, kryesisht nga Britania e Madhe, presin të marrin kupona për të qëndruar 7 ditë në hotelet në Rodos. Nisma do të zhvillohet deri më 15 nëntor.
Përfshirja ka qenë tashmë e fortë, thonë zyrtarët e turizmit në Rodos, me më shumë se 5,000 pushues të regjistruar në regjistrin e përfituesve të skemës. “Kushdo që qëndronte në zonat që u prekën nga zjarret ka të drejtë,”-tha Yannis Papavasiliou, i cili kryeson bashkimin e hotelierëve të ishullit. Ai tha se kompensimi do të pasqyronte shumën që klientët u paguan fillimisht operatorëve turistikë dhe do të varionte nga 300 deri në 500 euro. “Do të zbatohet vetëm për hotelet, jo për akomodimet private të stilit Airbnb.”
Top Channel